MOVIOLA| Flamurtari-Skënderbeu/ Sukajt i mohohet penallti, dyshime për rastin e Bregut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2019 | 18:38

MOVIOLA| Flamurtari-Skënderbeu/ Sukajt i mohohet penallti, dyshime për rastin e Bregut

FSHF i kishte besuar ndeshjen e djeshme në Vlorë një tresheje mikse me kryesor Orlando Kukën, si dhe anësorë Orgest Grabovën dhe Alfred Shkretën. 

flamurtari skenderbeu

Në tërësi gjykimi la për të dëshiruar, duke ndikuar në rezultat, pasi Flamurtarit iu mohua një penallti neto. Në total pati katër raste për moviolë, ku shumë i diskutueshëm ishte edhe goli i Sukajt, por pamjet filmike i japin të drejtë anësorit Shkreta.

36′ Zeqaj godet pa top me dorë dhe më pas me bërryl në fytyrë Gripshin në një duel afër zonës. Anësori Grabova nuk sinjalizon aspak kryesorin për një rast që minimalisht duhej dhënë faull për Skënderbeun dhe mbrojtësi i Flamurtarit ishte në limitin e kartonit të kuq. Kuka vazhdoi lojën për një rast ku përgjegjësi ka më shumë anësori.

41′ Pas shërbimit të Ribajt në zonë, është Hoxhaj që devijon topin dhe Sukaj më pas shënon. Krijohet përshtypja se sulmuesi është më i avancuar dhe duhej anuluar goli për pozicion të parregullt, por pamjet filmike tregojnë se në momentin e devijimit të topit nga Hoxhaj, Sukaj është në një vijë me Pollozhanin, lojtarin e fundit të Skënderbeut.

65′ Pollozhani rrëzon Sukajn brenda zonës pas pengimit që i bën në këmbën e djathtë, por gjyqtari Kuka çuditërisht akordon faull në dëm të Flamurtarit dhe ndëshkon me karton të verdhë Sukajn për simulim. Pamjet filmike nxjerrin blof arbitrin kryesor, i cili duhej të kishte akorduar penallti për Flamurtarin dhe të verdhë për Pollozhanin.

83’ Haruni mban nga fanella brenda zonës Bregun, i cili humbet ekuilibrin dhe rrëzohet duke mos goditur topin. Në limitet e një penalltie, por Kuka nuk e sheh.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"