Nora Goxha: Ju tregoj jetën me Arben Mingën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2015 | 15:45

Nora Goxha: Ju tregoj jetën me Arben Mingën

noraNora Goxha, ishbasketbollistja e famshme dhe bashkëshortja e Arben Mingës ka dhënë një intervistë ku ka folur për jetën e saj në Kanada e Shqipëri. Goxha rrëfen momentet e lumtura e ato të dhimbshme, ku më i keqi ka qenë pa dyshim ikja nga kjo botë e bashkëshortit të saj. Nora Goxha ka qenë e ftuar në emisionin “Debati në Channel One”, të gazetarit Roland Qafoku, ku ka rrëfyer jetën në emigracion si dhe eksperiencën në Rumani gjatë viteve ’90.

Përshëndetje zonjë dhe faleminderit që pranuat ftesën për këtë intervistë.

Është kënaqësi të dal para publikut shqiptar.

Si jeni ndier këto ditë në Shqipëri?

Shqipëria është atdheu im, gjithmonë do të kem lidhje të ngushta me të pavarësisht se jetoj në Kanada. Por nuk mund të lë pa harruar vendin tim. Zemra ime është këtu.

Nga Kanadaja në Shqipëri, si është jeta mes vendit që jeni lindur dhe rritur dhe një vendi të huaj si Kanadaja?

Lidhjet e mia me Shqipërinë janë të fuqishme, por nuk mund të lë pas edhe Kanadanë. Është një vend që na hapi dyert dhe na ofroi mundësi të jashtëzakonshme, për të krijuar një jetë më të mirë për fëmijët.

A keni dëgjuar dikë të thotë kur ju ka parë “uuu Nora, ajo basketbollistja e famshme e dikurshme”?

Është një rastësi që më ka qëlluar dy herë këtë vit. Një herë një punonjës i Rinasit dhe parukieria më mbanin mend dhe më njohën për kontributin tim në basketbollin shqiptar.

A është Shqipëria më e mirë apo më e keqe nga momenti që ju jeni larguar?

Janë bërë ndryshime për më të mirë.. Dhe po mundohet të ecë përpara.

Si ndiheni kur ju përmendin, Nora, bashkëshortja e Arben Mingës?

Dua të më njohin fillimisht si Nora basketbollistja për aq kohë sa kontribuova për basketbollin shqiptar. E më pas si Nora, bashkëshortja e Benit.

Ju keni qenë një nga basketbollistet më të mira të brezit tuaj. Ç’do të thotë që sot Shqipëria ka për kryeministër një ish-basketbollist?Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, dikur ka luajtur basketbollist me Dinamon, ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, ka luajtur me Tiranën. Klodeta Dibra është kryetare e këshilltarëve të Majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. A është një gjë e mirë kjo dhe pse që kryeministri ish-basketbollist ka afruar në qeverisje si asnjëherë tjetër disa basketbollistë?

Të gjithë këta personalitete që dikur kanë qenë basketbollistë, luajnë një rol të rëndësishëm në drejtime të ndryshme të qeverisjes së shtetit shqiptar. Për faktin që ata janë në krye të këtyre posteve, sepse e kanë merituar nga ana profesionale. Duke qenë basketbollist, duke u mësuar të punosh në grup, ndihmon në këtë profesion. Të qenit sportist, të mëson disiplinën, të punosh fort. Të dyja bashkë ndihmojnë… Të gjithë këta ishkolegë të mitë, do të bëjnë diç- ka të mirë për këtë vend.

Keni pasur njohje me tre meshkujt basketbollistë?

Kemi luajtur në Pallatin e Sportit. Nuk e kam ndjekur shumë Dinamon, por di se ka marrë pjesë në ekipin kombëtar. Më bëri shumë përshtypje që më në fund në Shqipëri ngrihen stadiume të reja në Elbasan dhe Shkodër. Janë arritje. Duhen bërë më shumë ambiente sportive edhe për fëmijët që luajnë, nisin sportin.

Kishte një arsye të madhe përse ju futët basketbollit?

Isha shumë e gjallë dhe e hollë dhe u dashurova pas basketbollit. Kur jeni thirrur për herë të parë me ekipin kombëtar? Për herë të parë në qershor të vitit 1986, në Rumani me të rejat. Isha kapitene e skuadrës. Zura vendin e tretë. Për herë të parë që përgatiteshim moralisht e fizikisht.

Cili ishte kulmi i karrierës suaj?

Në shtator 1987, pas lojërave mesdhetare olimpike në Latakia të Sirisë. Aty qëndruam dy javë dhe mendoj se arrita pjekurinë si lojtare. Fituam medaljen e artë. Unë fitova një çmim si miss Aleppo, në Siri edhe pse nuk u shpall.

Si jeni njohur me Arben Mingën?

Periudhat përgatitore i bënim së bashku. Ai ishte ambient i përshtatshëm për t’u njohur. Megjithatë, them se hapi i parë ka qenë nga Beni, i cili i vuri pikësynim vetes ta realizonte përmes të tjerëve dhe vetes së tij.

Ju nuk keni qenë bashkë në momentin kur Beni shënoi golin me Belgjikën?

E kam parë në televizor. Është një ndeshje e madhe që e la Benin në histori, me një gol botëror. Kam qenë në shtëpi.

Si e përshkruante Beni atë moment?

Ai thoshte që e rregullova topin mirë, hapin dhe hapa këmbën e mbylla sytë. Për kohën që kemi luajtur, nuk kemi shumë arkivë. Jemi të varfër në këtë drejtim, në kohën që teknologjia sot ka ecur shumë.

Po dasma si ishte?

Një nga dasmat që të gjithë e kujtojnë, më 10 qershor 1990. Kjo ka qenë dasma e fundit për të gjithë farefisin sepse u shpërndanë.

Ku u zhvillua dasma?

Të dyja janë bërë te hotel “Arbana”. Ishim të privilegjuar që kishim Benin, i cili me shkathtësinë e tij ishte i kudondodhur. Menuja ishte shumë e pasur.

Pastaj ju shkuat në Rumani?

Në pesë maj të vitin 1991 ne u bëmë me djalë. Shumë miq të Benit shkuan në Greqi, edhe ai shkoi ta provonte aty. Për fat aty vjen ekipi i Dinamos së Bukureshtit dhe mbaj mend që presidenti i klubit Januland së bashku me Sulejman Demollarin që luante në atë kohë për Dinamon e Bukureshtit. Kanë luajtur me ekipin që Beni luante me Greqinë. Ai ishte i dashuruar me mënyrën sesi Beni luante. E ftoi në Rumani. U nis vetëm për të bërë kontratën mes klubeve dhe unë jam nisur në tetor 1991. Në fillim në Bukuresht e më pas në ekip tjetër. Kemi qëndruar një vit në Brazhovë e më pas në Brailaj, një zonë më fushore e Rumanisë, një vit. Me këtë ekip, Beni doli në finale të Kupës së Rumanisë, ku u mund.

Si ishte kontrata atje?

Kontrata në vitet e para… Nuk kishim njohuri për shitjet dhe blerjet. Nuk kishin menaxherë për shitjen dhe blerjen e sportistëve. U bë vetëm një nënshkrim për një shumë prej 30 mijë dollarë, ku na u dhanë vetëm 15 mijë dollarë. Kontrata ishte që edhe po të iknim, nuk na penalizonte njeri.

Thoshte ndonjëherë Arben Minga se kishte këtë arritje apo atë…

Është e vërtetë sepse ka qenë një elitë e mrekullueshme sportistësh, jo vetëm në futboll, e cila u dogj për hir të sistemit. Mbaj mend që Benin e ka kërkuar në vitin 1986 një ekip turk. Në ndeshjen me Anglinë, më tregon se një mik i tij i kishte dhënë të gjitha të dhënat.

Kur erdhët nga Rumania?

Unë jam kthyer më përpara sepse na u zu shtëpia. Kemi zgjatur shtatë vite me gjyqe. Mbas shtatë vitesh, unë u ktheva derisa pas një viti e gjysmë u kthye dhe Beni dhe vazhdoi me 17 Nëntorin.

Sa luajti me Tiranën?

Me Tiranën luajti në sezonet 1994-1995 dhe 1995- 1996. Në sezoni 1994-1995 mori kupën… Në sezonin e fundit u shpall kampion kombëtar dhe kampion i Kupës së Shqipërisë.

A ka marrë Beni vlerësimet që i takonin për atë që ai i ka dhënë sportit shqiptar?

Ai ka marrë shumë tituj, është “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, ka dy medalje “Naim Frashëri” e shumë tituj e medalje të tjera. Është shpallur “Hall of fame” nga Edi Rama. Pas vdekjes mori titullin “Lojtar nderi” të federatës shqiptare si dhe medaljen nga zoti Bamir Topi.

Ka pasur kërkesa: “Hajde me Partizanin e ik nga Tirana”?

Kam dëgjuar nga kunati. Ai ka qenë një ndër iniciatiorët që Beni të qëndrojë te Tirana.

Benit nuk i thanë “Hajde te Dinamo”…

Ka pasur shumë miq e shokë, si dhe dashamirës të ekipeve të tjera. Një nga këta ka qenë zoti Klem Koloneci, i cili ka qenë i çmendur për Benin. Ai i ofroi të shkonte te Dinamo se do t’i jepnin shtë- pi tre dhoma e kuzhinë.

Përse ikët në Kanada?

Ikja jonë në Kanada u shkaktua nga kushte të caktuara dhe një nga ato ishte se Beni mbeti për një kohë të gjatë pa punë. Ai kishte një eksperiencë të jashtëzakonshme, sepse pasi u kthye nga Rumania punonte si drejtor marketingu për “Gillete”. Ai çau dhe e çoi biznesin shumë lart. Pas vitit 1997, trazirave, kompania u mbyll. Për këtë arsye ne morëm atë vendim.

Sa ndeshje ka luajtur Arben Minga me Kombëtaren?

28 ndeshje ku ka shënuar dy gola.

Si e përcolli momentin kur mjeku i tha se ishte i diagnostikuar me një sëmundje të pashërueshme?

Është njëlloj sikur je i dënuar me vdekje. Por ai ishte trim, ishte i jashtëzakonshëm. Mundohej të na mbante ne me kurajë e shpresë se do ta luftonim e do të bëhej mirë. Ai luftoi për dy vite që nga momenti i diagnostikimit. Ai pati operacion. Kaloi në trajtime. Jemi ndier jo si emigrant, po sikur ishim në shtëpinë tonë, pasi doktori kryesor na pyeti se pse kishim vajtur në Kanada. I thamë: “Për një jetë më të mirë për fëmijët tanë”. Më tha: “S’më dukeni të zakonshëm”. Beni i tha se ka qenë futbollist me Shqipërinë dhe kapiten me Kombëtaren në vitin 1989 ku luajtëm me Anglinë. Mjeku i tha: “Ti je heroi im. Do të qëndroni me mua, do të kujdesem unë për ty”. Kjo tregon vlerësimin që bota u bën sportistëve. Ishte një lehtësim i madh për të dy ne. Një emocion i jashtëzakonshëm. Kur ishim në spital për herë të dytë, kishin kërkuar emrin e Benit në “Google” e të gjithë na pritën te dera e ashensorit duke duartrokitur. Një nga infermierët na tha që Beni ishte njeri i madh.

A ju la ndonjë amanet Beni?

Ai e dinte që unë kisha një karakter të fortë dhe për këtë nuk la asnjë amanet. E vetmja gjë që tha kur u diagnostikua ishte: “E di si është puna? Kemi ardhur në këtë jetë e do ikim”. Më erdhi keq. “Por kur mendoj që do të lë ty e djemtë…”, kjo më vrau.

Si ishin momentet e fundit?

Gjithçka ka ndodhur në shtëpi… Nuk doja që të na linte në spital. E gjithë Amerika erdhi në kortezh që t’i jepnin lamtumirën e fundit idhullit të tyre. Ka qenë kaq e madhe pjesëmarrja, saqë u hapën tri dhoma të “Funeral home”. Shumica ishin shqiptarë, por kishte edhe të huaj. Kanë qenë më shumë se 300 persona, makinat nuk mbaronin…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"