11 gola në vetëm dy takime, legjenda gjermane thur elozhe për skuadrën e Nagelsmanit: Kohë pa parë një Bajern të tillë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2022 | 13:38

11 gola në vetëm dy takime, legjenda gjermane thur elozhe për skuadrën e Nagelsmanit: Kohë pa parë një Bajern të tillë

Bajerni i Mynihut i ka bërë një nisje spektakolare sezonit të ri në Gjermani. Bavarezët kanë shënuar 11 gola në dy takimet e para zyrtare në sezonin e ri. Fillimisht, skuadra e drejtuar nga Nagelsman shkatërroi Lajpcigun 3-5 në finalen e Superkupës së Gjermanisë.

bajern

Ndërsa të premten e nisi sezonin në Bundesligë me një fitore tenistike 1-6 përballë Frankfurtit. Bavarezët kanë ngazëllyer me lojën e tyre, veçanërisht në triumfin në Frankfurt, ku në vetëm 45 minuta arritën të çmontonin “Shqiponjat” me 5 gola.

Kjo paraqitje e Bajernit nuk ka mbetur pa u komentuar. Pas shumë kohësh ka folur legjenda e këtij klubi dhe e kombëtares gjermane, Franc Bekenbauer. Gjatë një interviste të dhënë për gazetën gjermane “Bild”, Bekenbauer është shfaqur i mahnitur nga paraqitja e bavarezëve.

Bekenbauer

“Të gjithë e dinë se Bajerni e nis sezonin si favorit për titullin kampion në Gjermani, por nuk jam dakord me zërat që e quajnë të fituar titullin pa nisur. I refuzoj të tilla supozime. Megjithatë, dua të vlerësoj maksimalisht paraqitjen që skuadra ka bërë ndaj Eintrahtit. Një dëshirë të tillë, një paraqitje të tillë kisha kohë që nuk e kisha parë”, ka komentuar legjenda e Gjermanisë për gazetën “Bild”.

Bekenbauer ka komentuar gjithashtu edhe largimin e Robert Levandovskit drejt Barcelonës, duke e cilësuar atë si e shkuara. “Leva është një lojtar i shkëlqyer, por tashmë i përket së shkuarës. E ardhmja është kjo skuadër që pamë ndaj Frankfurtit”, ka thënë legjenda e Bajernit. Franc Bekenbauer i ka mbajtur të gjitha pozicionet te Bajerni, që nga lojtar, trajner dhe për shumë vite me radhë president i klubit bavarez.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"