Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Kategoria e Parë me 18 ekipe, ja pse Flamurtari dhe Luftëtari detyrojnë FSHF-në të ndryshojë grupet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2020 | 17:55

Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Kategoria e Parë me 18 ekipe, ja pse Flamurtari dhe Luftëtari detyrojnë FSHF-në të ndryshojë grupet

Flamurtari dhe Luftëtari janë dy skuadrat e para që kanë mësuar verdiktet për këtë sezon në Kategorinë Superiore, me vlonjatët dhe gjirokastritët që do të luajnë kampionatin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Klubet me shumë traditë në futbollin shqiptar që i thanë lamtumirë elitës, si për koincidencë, përfaqësojnë të dyja Jugun e Shqipërisë dhe kësisoj në sezonin 2020-2021 duhet të jenë logjikisht pjesë e Grupit B të Kategorisë së Parë.flamurtari luftetari

Pa paragjykuar se si do të shkojë gara për kreun aktualisht (Apolonia, Pogradeci, Lushnja) dhe cili ekip do të futet direkt në Superiore apo do të zbresë në Kategorinë e Dytë, mendoni pak se çfarë kampionati mund të jetë në sezonin e ardhshëm në të Parën, duke marrë parasysh se në Grupin B duhet të jenë klube si Flamurtari, Luftëtari, Apolonia, Lushnja, Elbasani, Pogradeci, Besa etj. Një Superiore në miniaturë me klube që kanë fituar trofe në elitën e futbollit shqiptar dhe përfaqësojnë qytetet më të rëndësishme në vend.

Kësisoj, me Grupin B të fryrë dhe të imponuar prej rrëzimit nga Superiorja të dy ekipeve që janë nga Jugu i Shqipërisë, FSHF është e detyruar të bëjë spostime skuadrash, duke dërguar në Grupin A një ose dy prej tyre. Ky është një vendim që do ta marrë Komiteti Ekzekutiv në muajin gusht dhe tashmë duket si një “patate” e nxehtë në dorën e institucionit të futbollit.Kukesi-Flamurtari-e1592240592317

Me ngjitjen thuajse të sigurt të Kastriotit në Superiore në sezonin e ardhshëm, Kategoria e Parë në Grupin A ka një diferencë të madhe në letër, duke marrë parasysh se çfarë skuadrash janë të destinuara për Grupin B. Në Grupin A nuk mungojnë klube me emër të madh si Dinamo, 18 herë kampione e vendit që sot rrezikon të shkojë në Kategorinë e Dytë, apo edhe Besëlidhja e Lezhës, Burreli dhe Erzeni, që në periudha të ndryshme kanë lënë gjithashtu shenjë në elitë.

Megjithatë, dukshëm Grupi B, nëse aty përfshihen edhe Flamurtari e Luftëtari, bëhet “i frikshëm” për rivalitetin që mund të ketë. Në këto kushte, FSHF do të gjejë një rrugë të mesme, e cila natyrisht nuk mund të shmangë polemikat apo pakënaqësitë që mund të kenë klubet për ndryshimin e grupeve. Megjithatë, vitet e fundit kanë treguar se ekipe si Dinamo dhe Besa kanë ndryshuar shpesh grupet. Kësisoj, nuk është çudi që për të pasur një garë me shkallë të njëjtë vështirësie për të dyja grupet, ekipe si Flamurtari, Luftëtari, Besa etj., të mos jenë në të njëjtin grup.Futbollistet e Luftetarit

KONFLIKT INTERESI

Sezoni 2020-2021 i Kategorisë së Parë do të jetë me 18 skuadra, i ndarë në dy grupe me nga 9 klube dhe tri faza kampionat. Për momentin është e sigurt që Flamurtari dhe Orikumi nuk mund të luajnë në sezonin e ri në të njëjtin grup, pasi kanë konflikt interesi, duke qenë se administrohen të dyja klubet nga Bashkia e Vlorës. Edhe këtë sezon që ende nuk është mbyllur, Iliria dhe Shënkolli janë pjesë e Grupit B, edhe pse përfaqësojnë Veriun e vendit. Bazuar në kriteret e licencimit, këto skuadra kanë kaluar në Grupin B për shkak se Iliria financohet nga Bashkia e Krujës, që njëkohësisht investon edhe te Kastrioti. Gjithashtu, Shënkolli financohet nga Bashkia e Lezhës, që është “de jure” pronare e klubit të Besëlidhjes.

hk

JORGIS MEMO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"