“Guinnes” në Evropë, Ada për femra mundet 21-0

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2012 | 11:45

“Guinnes” në Evropë, Ada për femra mundet 21-0

APOLLON-ADA 21-0
Golat: Kostova 3’, 45+3’ (p), 50’, 59’, Rus 13’, 63’, 65’, 71’, Lazri 18’ (autg), Farreli 21’, 25’, 45’, 84’, Spanu Olar 30’, 34’, 74’, Iordanou 40’ Bajrakurtaj 51’ (autg), Geogiou 68’, Zampa 75’, 90+2’
APOLLON: Betos, Ioanou, Sofokleous (Iordanou 46’), Farreli, Mikail, Kostova, Rus, Laiu, Spanu Olar, Geogiou (Gianou 61’), Zampa (Solomou 46’). Trajner: Kristoforu Kristakis
ADA: Kokiçi, Lazri, Proto, Djegësina, Sufaj, Paloka, Hoxhaj (Bajrakurtaj 57’), Gjini (Shpuza 45+2’), Tula, Baro, Gruda (Doçi 51’). Trajner: Fatmir Axhani

Turpi nuk ka fund për kampionen e Shqipërisë në futbollin për femra në Ligën e Kampioneve. Dje Ada është mundur 21-0 nga homologia qipriote, duke sigluar kështu rezultatin më të thellë në histori në këtë kompeticion në futbollin e femrave. Ndeshja ishte e vlefshme për Grupin 6 kualifikues, ku futbollistet e Adës jo vetëm treguan limitet e veta, por u degjeneruan si mos më keq. Dhjetë gola u shënuan nga qipriotet e Apollonit në pjesën e parë, ku një ndihmë patën edhe nga mbrojtësja jonë, Greta Lazri, e cila shënoi një autogol. Një të tillë e shënoi edhe Bajrakurtaj në minutën e 51-të të pjesës së dytë. Në fraksionin e dytë u shënuan edhe 11 gola të tjerë, çka tregoi për supermacinë e padiskutueshme të skuadrës qipriote dhe për modestinë që ka futbolli ynë i femrave në raport me vendet e tjera. Ndërkohë, kujtojmë se pak ditë më parë, Ada e Velipojës shënoi një tjetër rezultat negativ, por të paktën atëherë u mund nga ukrainaset e Karkivit me rezultatin 14-1, ku golin e vetëm për skuadrën tonë e shënoi sulmuesja Ana Baro, në fund të pjesës së parë. Statistikat e eliminatores së dytë të Ligës së Kampioneve flasin qartë për inferioritetin e plotë të futbollisteve të Velipojës: plot 53 raste për gol të skuadrës vendëse ku edhe po luhen ndeshjet në grup, ndaj vetëm pesë të shqiptareve. Siç duket, edhe rekrutimet në merkaton e verës nuk vlejtën për Adën për t’iu shmangur turpit të radhës në pjesëmarrjet evropiane. Gjithsesi, nuk mbaron këtu vuajtja e skuadrës sonë, pasi më 16 gusht duhet të luajë një tjetër ndeshje, këtë herë kundër skuadrës KI Klaksvik të Ishujve Faroe. Të paktën këtu shpresohet që skuadra jonë të mos humbasë me goleada të tilla të paimagjinueshme. Edhe në debutimin Ligës së Kampioneve sezonin e kaluar bilanci ka qenë për “Guinnes” 0-34. Humbisnin 10-0 me finlandezet e PK-35 Vantas, 16-0 me sllovaket e Sllovan Bratisllavës dhe 8-0 me polaket e Unia Raçibor. Në pjesëmarrjen e deritanishme, velipojaket regjistrojnë 69 gola të pësuar e vetëm 1 të shënuar, pra me një mesatare 13.8 gola/ndeshje, e thënë ndryshe 1 gol çdo 4.5 minuta.
Përgatiti: OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"