ZYRTARE/ Vendimi për formatin e Abissnet Superiore dhe Kategorinë e Parë, zbulohen detajet: Me të drejtë thuhet që duhet të shtojmë skuadrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2026 | 15:35

ZYRTARE/ Vendimi për formatin e Abissnet Superiore dhe Kategorinë e Parë, zbulohen detajet: Me të drejtë thuhet që duhet të shtojmë skuadrat

Një ndër temat që u diskutua në konferencë për mediat të presidentit të FSHF, Armand Duka, ishte edhe ajo e formulës së kampionateve profesioniste, Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë. Duka pranoi se jashtë elitës mbeteshin shumë skuadra me traditë, por ai shpjegoi se do të vazhdonte zhvillimi i kampionateve me numrat aktual, duke e cilësuar sidomos Superioren si një kampionat të fortë.

Superiore

“Për Abissnet Superiore dhe Kategorinë e Parë padyshim kemi diskutuar shumë herë, në çdo kampionat në prag përfundimi, duke parë të gjitha statistikat. Realisht është kampionat i fortë, nuk do të thotë që them që është kampionat me nivel shumë të lartë, apo shumë i bukur si 5-6 më të mirat në Europë. Por është i fortë, me konkurrencë, i paparashikueshëm, ku vendi i fundit mund të fitojë me vendin e parë, ku karakteristikat janë që diferenca e vendit të parë me të fundit nuk janë shumë të mëdha, si në disa vende të tjera me pothuajse të njëjtin numër skuadrash.

Shpesh thuhet që duhet të shtojmë skuadrat, me të drejtë, sepse ka disa qytete të mëdha me histori, traditë e kontribut të cilat janë jashtë. Por në fakt një qytet me traditë që ka një klub i cili nuk është i organizuar e nuk investohet, jo me 10, por edhe me 14 e 16 ta bësh, prapë do mbesë jashtë, se kështu është ekonomia e tregut. Nuk është si në kohën e komunizmit ku bashkitë e mëdha kishin mundësi më shumë. Edhe në botë, Hofenhajmi në Gjermani ka shumë vite që luan në Bundesligën e parë dhe ka ekipe me shumë traditë që janë në kategori inferiore, e njëjta gjë edhe këtu.

Arsyeja pse duhet të vazhdojmë me 10 skuadra është se ky kampionat e thashë është i fortë dhe shton shumë interesin e skuadrave për pikë. Pothuajse deri në javën e fundit askush nga skuadrat nuk ka mundësi të tolerojë skuadër tjetër dhe kjo është e rëndësishme për ne. Përveç kësaj, financat aktuale në dispozicion për futbollin nuk japin premisa për të pasur me shumë skuadra. Ndaj në kushte aktuale siç jemi sot, ky kampionat është i fortë pasi dalin dy, e treta nga fundi shkon në play-off dhe katër shkojnë në Europë dhe nuk krijohet hapësira në mes që do të prishte kampionatin, që jemi dëshmitarë ka ndodhur me parë me 12, 14 apo 16 skuadra.

Fillon kompromisi dhe mbaron futbolli. Ky kampionat nuk lë vend për kompromis dhe kjo është e rëndësishme. Në këto kushte, me këto financa, do vazhdojë me 10 në Superiore dhe 12 në Kategorinë e Parë”, shpjegoi Duka.

PANORAMASPORT.AL