“Ferrari është i fortë”, Antoneli: Meritoj notën 8,5, uroj të ikë fati i keq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2026 | 14:24

“Ferrari është i fortë”, Antoneli: Meritoj notën 8,5, uroj të ikë fati i keq

Çmimi i Madh i Belgjikës është gara e dhjetë e Botërorit 2026 të Formulës 1. Në konferencën për shtyp para fundjavës në Spa, lideri i kampionatit Kimi Antoneli foli për episodet e pafavorshme që e kanë shoqëruar deri tani sezonin: “Shpresoj të mos kem më të tilla, sepse kemi humbur shumë pikë”. Me sezonin që po i afrohet gjysmës, piloti italian ka bërë bilancin e parë dhe i ka dhënë vetes edhe një notë: “Nuk mund t’i jap vetes 10. Kam bërë disa gabime, ndaj nota ime është 8.5″.

antonelli

Pas vendit të 15-të në Britani, Kimi Antoneli mbërrin në Belgjikë me dëshirën për t’u rikthyer pas një fundjave zhgënjyese dhe njëkohësisht të pafat. Italiani shpreson që kapitulli me fatin e keq të jetë mbyllur: “Ishte zhgënjyese, por gjëra të tilla ndodhin në motorsport. Kam pasur mjaft episode të pafavorshme dhe janë faktorë të jashtëm që nuk mund t’i kontrollosh. Në Silverston, në përgjithësi, ne bëmë një fundjavë të fortë. Ishim konkurrues në çdo sesion dhe kjo është diçka pozitive, ritmi ishte i mirë. Nga ana ime, duhet vetëm të arrij ta mbyll garën me rezultatin që meritoj, duke nxjerrë maksimumin nga çdo gjë që është në duart e mia. Pjesa tjetër nuk varet nga unë dhe nuk mund të bëj asgjë për të ndryshuar. Mund të jem vetëm i shpejtë dhe të bëj më të mirën”.

FERRARI, KËRCËNIM NË SPA

Antoneli iu përgjigj edhe deklaratave të Sharl Lëklerk, i cili e sheh Mercedesin si favorite në Belgjikë: “Çdo garë ka qenë shumë konkurruese. Presim të jemi në nivelet e larta, por edhe Ferrari në Silverston ishte një surprizë. Ne prisnim që ata të ishin aty, sepse në kualifikuese arrijnë gjithmonë të nxjerrin diçka më shumë. Mund të ndodhë edhe këtë fundjavë. Por nuk mund të përjashtojmë kurrë Red Bullin dhe MekLarenin nga parashikimet, sepse edhe ato mund të jenë shumë të shpejta”.

TAKIMI ME FEDERERIN

Gjatë qëndrimit në Angli, Antoneli pati mundësinë të ndiqte nga afër Uimbëlldonin dhe të takohej me legjendën e tenisit, Roxher Federer: “Ishte fantastike. Në 2-3 vitet e fundit jam apasionuar shumë më tepër pas tenisit, edhe falë njohjes me Sinerin. Ishte një eksperiencë shumë e bukur. Të flisja me Federerin ishte po aq madhështore. Ai më tregoi shumë për fushat me bar dhe për eksperiencat e tij të mëparshme. Ishte e jashtëzakonshme të bisedoja me të edhe për garat e mia dhe për periudhën kur ai luante”. Piloti i Mercedesit e përshkroi Federerin si një sportist të madh, por edhe si një njeri të thjeshtë: “Është një atlet i jashtëzakonshëm, por edhe një person shumë modest dhe i hapur. Ishte vërtet mahnitëse. Për presionin më tha të mendoj garë pas gare, të përqendrohem vetëm te gjërat që mund të kontrolloj dhe të mbaj nën kontroll emocionet, sepse ato mund të çojnë në gabime”.

BILANCI I PARË I SEZONIT

Pas garës së Belgjikës do të jenë zhvilluar 10 nga 22 garat e sezonit, një moment i përshtatshëm për një bilanc të parë të paraqitjes së tij në gjysmën e parë të kampionatit. Antoneli, që me shumë mundësi do të vazhdojë të kryesojë renditjen e pilotëve edhe pas Belgjikës, vlerësoi performancën e tij: “Çfarë note do t’i jepja vetes? Nuk mund t’i jap 10. Në Australi gabova dhe për pak humba kualifikimin. Në Japoni fitova, por u nisa keq dhe pata edhe fat. Bëra një gabim në garën Sprint në Majami, si dhe në kualifikimet e Barcelonës dhe Austrisë. Prandaj i jap vetes një 8.5″, përfundoi talenti italian i Mercedesit.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL