EKSKLUZIVE/ Ka lënë gjurmë me fanellën e Vllaznisë, sulmuesi shqiptar nis aventurën e re
Sulmuesi shkodran Erald Çinari ka gjetur skuadrën e re. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se lojtari ka firmosur me klubin koreano-jugor Jeju SK.

Marrëveshja mes palëve është për një kontratë 1 vit e gjysmë, me Çinarin që do të nisë një aventurë të re në futbollin aziatik pas eksperiencave të fundit jashtë Shqipërisë. Lëvizja drejt Koresë së Jugut vjen pas një periudhe me disa ndryshime në karrierën e sulmuesit. Para kësaj transferte, Çinari ishte pjesë e Al-Jabalain në Arabinë Saudite, nga ku u largua më 1 korrik si lojtar i lirë, duke i dhënë fund një tjetër etape në karrierën e tij.
Në sezonet e fundit, shkodrani ka pasur mundësinë të provojë disa kampionate të ndryshme. Ai ka luajtur në Armeni me Noah, ndërsa më herët ka mbrojtur edhe ngjyrat e Shkëndijës së Tetovës, duke fituar eksperienca të rëndësishme jashtë vendit. Në futbollin shqiptar, Çinari ka lënë gjurmë me fanellën e Vllaznisë, klub ku u rrit dhe u afirmua si një nga talentet më premtuese të brezit të tij. Më pas, sulmuesi shkodran u transferua te Partizani, ku pati një periudhë të suksesshme dhe u kthye në një nga lojtarët më të rëndësishëm të “demave të kuq”.
Çinari tashmë do të kërkojë të lërë gjurmën e tij edhe në futbollin korean. Jeju SK shihet si një mundësi e re për sulmuesin shqiptar për të rikthyer ritmin dhe për të treguar vlerat e tij në një tjetër kontinent.
PANORAMASPORT.AL













