TURI I FRANCËS 2026/ Çiklisti belg është mbreti i sprintit, shënon fitoren e tretë
Etapa e 12-të e Turit të Francës ishte projektuar për sprinterët dhe, pavarësisht disa momenteve të tensionuara dhe sulmeve të shumta, përfundoi ashtu siç pritej. Në Chalon-surSaône, pas 179,1 kilometrash, triumfoi Tim Merlier.

Çiklisti belg i skuadrës Soudal Quick-Step la pas Kooij dhe Philipsen, ndërsa fituesi i etapës së djeshme, Waerenskjold, u rrëzua. Në renditjen e përgjithshme nuk pati ndryshime: Tadej Pogacar ruan fanellën e verdhë, në prag të etapës kodrinore drejt Belfort. “Nuk ka dy pa tre”, Tim Merlier vazhdon të jetë mbreti i sprintit dhe triumfon edhe në etapën e 12-të në Turin e Francës. Belgu fitoi në një etapë të menduar për sprinterët, por që rezultoi më e vështirë nga sa pritej për shkak të ritmit shumë të lartë dhe sulmeve që u zhvilluan në kilometrat e fundit.
Pas disa kilometrash qetësie u krijua një shkëputje me katër çiklistë, por ajo nuk zgjati shumë. Caruso (Bahrain-Victorious), Veistroffer (Lotto-Intermarché), Costiou (Groupama-FDJ) dhe Vercher (TotalEnergies) nuk arritën të krijonin më shumë se dy minuta epërsi dhe u kapën përfundimisht nga grupi kryesor 33 kilometra para fundit. Në këtë pikë, disa çiklistë tentuan të ndryshonin rrjedhën e garës, veçanërisht në ngjitjen 2,6 kilometra drejt Côte de Montagny-lès-Buxy (me pjerrësi mesatare 4,3%), ku u shfaqën përpjekjet e Mads Pedersen dhe sulmi i një grupi ku bënin pjesë edhe Pippo Ganna (Ineos) dhe Quinn Simmons (Lidl-Trek).
Megjithatë, grupi kryesor e kontrolloi situatën dhe e neutralizoi sulmin, për t’u drejtuar më pas me shpejtësi të plotë drejt sprintit final, ku shpejtësia arriti deri në 65 km/h. Puna e skuadrës Alpecin dhe e Mathieu van der Poel dukej perfekte, por Tim Merlier doli sërish në momentin e duhur dhe siguroi fitoren e tretë në këtë edicion të Turit.
Mads Pedersen ruan fanellën e gjelbër të klasifikimit me pikë, me 357 pikë, duke lënë pas Girmay (317) dhe Philipsen (311). Edhe renditja e përgjithshme mbetet e pandryshuar: Pogacar kryeson me 3 minuta e 36 sekonda avantazh ndaj Vingegaard dhe 4 minuta e 6 sekonda ndaj Evenepoel. Sot mund të ketë ndryshime në 205,8 kilometrat nga Dole drejt Belfort, etapë që përfundon me një zbritje pas ngjitjes së vështirë në Ballon d’Alsace (8,9 km me pjerrësi 6,9%).
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













