Konfirmohet “divorci” me trajnerin Josa, Bylisi nis përgatitjet me staf të përkohshëm
Bylisi u ka dhënë fund pushimeve dhe ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri në Kategorinë e Parë, me objektivin e qartë për t’u rikthyer sa më shpejt në elitën e futbollit shqiptar. Skuadra ballshiote ka filluar fazën përgatitore në stadiumin “Adush Muçaj”, ku do të stërvitet deri në plotësimin e grupit.

Në seancën e parë kanë qenë të pranishëm futbollistë si Arlind Rustemi, Ahmetaj, Sino, Leo Martins dhe pjesa më e madhe e lojtarëve që kanë kontratë me klubin. Ndërkohë, fillimi i punës ka konfirmuar edhe ndarjen me trajnerin Mirel Josa, i cili drejtoi ekipin sezonin e kaluar. Për momentin, skuadra po drejtohet nga një staf teknik i përkohshëm, ndërsa drejtuesit pritet të vendosin në ditët në vijim emrin e trajnerit të ri. Nga futbollistët me kontratë, mungesa e vetme ka qenë Përndreca, i cili është huazuar te Dinamo për ndeshjet në Europë.
Nën urdhrat e stafit teknik janë stërvitur Ualison, Bruno, Sulovari, Gabi, Sahid, Beqaj, Adepoju, Adeduro, Vieira, Kamara, Hodo, Baruti, Kampula dhe shumë të tjerë. Në total, në stërvitje kanë marrë pjesë rreth 35 futbollistë, numër që pritet të shtohet gjatë kësaj jave, pasi klubi vazhdon punën edhe në merkato. Pavarësisht temperaturave të larta, lojtarët e kanë përballuar mirë ngarkesën e parë fizike. Stafi teknik fillimisht ka vlerësuar gjendjen fizike të grupit pas më shumë se një muaji pushime dhe, sipas burimeve pranë klubit, ka mbetur i kënaqur me nivelin e paraqitur nga futbollistët. Bylisi është grumbulluar në kompleksin “Gjanica”, ku do të vijojë përgatitjet me ritëm të lartë. Në ditët në vijim pritet të zhvillohen nga dy seanca stërvitore në ditë, të kombinuara mes punës në fushë dhe në palestër, nën drejtimin e përgatitësve atletikë dhe fizikë.
Pas fazës së parë të përgatitjeve, skuadra do të nisë edhe programin e ndeshjeve miqësore, ndërsa drejtuesit po shqyrtojnë mundësinë e zhvillimit të një faze përgatitore jashtë Ballshit. Bylisi synon të ndërtojë një skuadër konkurruese. Në një Kategori të Parë që pritet të jetë ndër më të fortat e viteve të fundit, mallakastriotët kanë ambicie të mëdha dhe besojnë se eksperienca e klubit mund t’i ndihmojë të rikthehen menjëherë në Superiore.
PANORAMASPORT.AL













