Front i ri për drejtësinë sportive, përgjimet e Rokit: Interi po na çan kokën
Ndërsa Prokuroria e Milanos pritet të kërkojë pushimin e hetimit penal që përfshinte ish-përgjegjësin e arbitrave italianë, Xhanluka Roki, dhe Interin, gazeta “Corriere della Sera” ka publikuar një sërë përgjimesh telefonike që po shkaktojnë debat të madh në futbollin italian.

Në bisedat e zbardhura, Roki ankohet për presionin që, sipas tij, vinte nga drejtues të Interit lidhur me emërimet e arbitrave për ndeshjet e skuadrës zikaltër. Megjithëse prokurorët nuk kanë gjetur prova të mjaftueshme për të provuar manipulim të emërimeve, përmbajtja e përgjimeve mund të ketë pasoja në drejtësinë sportive.
Roki: Interi po na çan kokën
Pika kryesore e hetimit lidhet me emërimin e arbitrit për sfi dën Verona-Inter, të zhvilluar më 3 maj 2025. Në një bisedë telefonike me Andrea Gervasonin, Roki shprehet: “Këta të Interit po na çajnë kokën rëndë. Po mendoja… sikur ta ndryshonim emërimin dhe në vend të Sozës të vendosnim Piçininin?” Në një tjetër telefonatë me Rikardo Pinzanin, përgjegjës për marrëdhëniet mes AIA-s dhe klubeve, del se pakënaqësia e Interit ishte përcjellë edhe përmes Xhorxho Skenones, përfaqësuesit të klubit për çështjet e arbitrimit. Pinzani i thotë Rokit se Skenone kishte bërë me dije se Xhuzepe Marota po diskutonte këtë çështje me Vilionen, drejtuesin e zyrës ligjore të FIGC-së. Roki përgjigjet se ishte në dijeni të situatës, duke shtuar: “E di… Interi po na çan kokën për këtë punë. Më kanë telefonuar dhe më kanë shqetësuar”.
Telefonata me Marotën nuk figuron në dosje
Një nga elementët më të diskutuar është fakti se Roki fl et për një telefonatë që pretendon se ka marrë nga Xhuzepe Marotta ose nga Vilione, por kjo bisedë nuk rezulton në materialet e përgjuara nga hetuesit. Sipas “Corriere della Sera”, kjo mund të shpjegohet me faktin se telefonata është kryer nga numra që nuk ishin nën përgjim ose përmes aplikacioneve si “WhatsApp”, të cilat nuk mund të interceptohen me sistemet tradicionale. Tentativa e Guardia di Finanza për të instaluar një program përgjues në telefonin e Rokit thuhet se ka dështuar.
Ndryshimi i arbitrit për të shmangur polemikat
Përgjimet tregojnë se Roki vendosi të ndryshonte arbitrin e ndeshjes për të shmangur debatet. Në një bisedë me Dino Tomazin ai deklaron: “Interi vazhdon të na ushtrojë presion. Më mirë të vendosim një arbitër që nuk ka lidhje me ta”. Tomazi shprehet i habitur, duke komentuar se ishte absurde që arbitri Simone Soza të mos mund të drejtonte më ndeshje të Interit.
Përgjime edhe në vitin 2026
Dosja përfshin edhe një bisedë të 20 prillit 2026 mes Rokit dhe arbitrit Mauricio Mariani, në prag të ndeshjes Torino-Inter. Në atë telefonatë, Roki përpiqet ta qetësojë arbitrin, duke lënë të kuptohet se nuk priteshin kundërshtime për emërimin e tij.
Drejtësia sportive mbetet në lëvizje
Megjithëse Prokuroria e Milanos po kërkon pushimin e çështjes, pasi nuk ka prova për ekzistencën e një sistemi të organizuar ndikimi mbi emërimet e arbitrave, publikimi i këtyre përgjimeve hap një kapitull të ri në drejtësinë sportive. Vëmendja tashmë është përqendruar te neni 4 i Kodit të Drejtësisë Sportive, që lidhet me parimin e ndershmërisë dhe lojalitetit sportiv, një nen që në të kaluarën është përdorur edhe në çështje të bujshme ndaj Juventusit. Ndërkohë, Komisioni Parlamentar Antimafi a ka kërkuar zyrtarisht dosjen e hetimit nga Prokuroria e Milanos, duke sinjalizuar se kjo histori mund të ketë ende zhvillime të rëndësishme.
PANORAMASPORT.AL













