Yjet e Anglisë të tronditur, Herri Kejn: Ishte fatale që vetëm u mbrojtëm
Një eliminim të atillë të Anglisë pakkush e kishte imagjinuar. Dalje nga Botërori 2026 në mënyrë dramatike, pasi humbi 2-1 ndaj Argjentinës në gjysmëfinale, pavarësisht se ishte në epërsi deri pak minuta nga fundi.

“Tre Luanët” kaluan në avantazh në minutën e 55-të me golin e Antoni Gordon, por Argjentina përmbysi gjithçka me Fernandez dhe Martinez në shtesë. Kapiteni i Anglisë, Herri Kejn nuk e fshehu zhgënjimin për mënyrën se si skuadra e tij e humbi mundësinë e finales së madhe. “Jam i shkatërruar për lojtarët, për stafin dhe për tifozët.
Luajtëm një ndeshje të mirë dhe për pjesën më të madhe ishim skuadra më e mirë. Por sapo kaluam në epërsi, dukej sikur u përpoqëm vetëm ta mbronim rezultatin dhe kjo nuk mjafton në këtë nivel”, deklaroi Kejn. Sulmuesi anglez vlerësoi përkushtimin e bashkëlojtarëve, por pranoi se në fund nuk ishte e mjaftueshme.
“Punuan jashtëzakonisht shumë për të arritur deri këtu. Djemtë derdhën gjak, djersë dhe lot, por në fund nuk mjaftoi”. Ai analizoi edhe rënien e skuadrës pas golit të shënuar, duke theksuar se Anglia humbi kontrollin e lojës. “E patëm të vështirë të ushtronim presion ndaj topit. Në pjesën e parë dhe në fillim të së dytës e bëmë këtë shumë mirë dhe kontrolluam ndeshjen. Por pas golit tonë, ata shtynë më shumë lojtarë përpara dhe ne nuk arritëm t’i përballonim. Bllokuam shumë gjuajtje, por në fund kjo nuk mjaftoi”.
Kapiteni anglez zbuloi se mesazhi nga stafi teknik pas golit ishte që skuadra të vazhdonte të sulmonte, mirë ja që kjo nuk u reflektua në fushë. “Qëllimi ishte të vazhdonim të sulmonim dhe të kërkonim golin e dytë.
Kur ata shënuan dy golat, u përpoqëm të reagonim, por nuk mundëm të riktheheshim”. Gjithashtu pranoi se Anglia vazhdon të jetë pranë suksesit të madh, por ende nuk po arrin ta kapërcejë hapin e fundit. “Kishim momente shumë të mira në këtë Botëror. Arritëm edhe një herë në gjysmëfinale. Jemi afër, ‘trokasim në derë’, por ende nuk po arrijmë ta kalojmë… pragun. Na mungon ajo pjesa e fundit e ‘pazëllit’”, përfundoi kapiteni.
BELLINGAM-MESSI – Kurse mesfushori Bellingam, dukshëm i dëshpëruar, fillimisht mendoi të minimizojë përballjen e nxehtë me Lionel Messin gjatë humbjes 2-1 kundër Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Bellingam dhe Messi patën disa herë debate gjatë ndeshjes të së mërkurës dhe të gjithë ishin kuriozë të dinin se çfarë po debatojnë këta dy yje.
Pas ndeshjes, mesfushori anglez i Real Madridit është përkujdesur të zbuloj se nuk pati asnjë problem me Mesin dhe ishte privilegj të luajë ndaj tij. “Nuk kishte asnjë problem. Po flisnim për një gjuajtje të vështirë, në fakt nuk kishte asgjë të keqe”, tha ylli i Realit. “Jam i sigurt se të gjithë do ta bëjnë punën e tyre dhe do ta ekzagjerojnë atë, por për mua nuk kishte asgjë. Për mua, ishte një privilegj të përballesha me Leon. Për mua, të luash kundër Leo Messit është e pabesueshme. Botërori që ai po përjeton është e mrekullueshme. I uroj fat në finale! Mirëpo për ne ishte një eliminim djegës!”, përfundoi Xhud.
PANORAMASPORT.AL













