Zien në Vlorë! Plasin debatet në Këshillin Bashkiak për ndërtimet dhe spostimin e pallatit të sportit
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Vlorës u përfshi në debate që zgjatën 120 minuta, kur radha i erdhi pikës 3 të rendit të ditës. “Panorama Sport”, sjell të plota diskutimet:

Atird Hoxha, këshilltar i PD-së: “Kemi komunikim me studion e mëparshme që ka bërë këto ndryshime dhe pse është spostuar pallati i sportit “Flamurtari” në një destinacion tjetër? Këtu te pallati i sportit aktual ne shikojmë në bazë të këtij prezantimi, një kullë 40 katëshe. E dyta, sa ndërtime të reja parashikon ky projekt dhe çfarë lartësie kanë dhe çfarë destinacioni?
Orgest Deraj, drejtori i urbanistikës: “Këtu është një skemë që tregon se studio ka menduar të zhvendos pallatin e sportit aty ku është pishina sot. Një arsye është se krijohet një hapësirë e re publike. Sheshi i ri do të jetë në funksion të aktiviteteve sportive”.
Ermal Dredha, kryebashkiaku i Vlorës: “Drejtoria e Aseteve do të shikojë se çfarë preket nga ky investim për shpronësim. Jemi në një fazë të hershme dhe nuk mund ta flasim sot për këtë. Kur të hapet ankandi ne shpresojmë që të ketë të interesuar për ta bërë këtë investim, sepse është realisht një përfitim që u vjen pas pronave shtesë, si dhe që i vjen qytetit”.
Ermal Arapi, këshilltar i PD-së: “Ku do të spostohet aneksi për stërvitje?”
Orgest Deraj: “Klubi i Futbollit Flamurtari ka bërë disa parashikime…”
Atird Hoxha: “Çfarë na duhet ne çfarë ka bërë klubi. Ne na duhen pronat e bashkisë. Ne themi ankesi ku do vejë?”.
Orgest Deraj: “Do vejë aty ku është më e përshtatshme. Te Pylli Sodës ose në një vend tjetër. Nuk mund të ketë fushë stërvitore brenda qytetit”.
Gjergji Nika, këshilltar i opozitës: “Cili është roli i Bashkisë së Vlorës në këtë marrëveshje? A do të përfitojë bashkia banesa për t’ua vënë më pas në dispozicion njerëzve për strehim?”
Ermal Dredha: “Dakordësimi i parë është që ne vendosim asetet në dispozicion. Një pjesë e mirë e hapësirës aty janë pronë shtet. Dyshemeja për privatin është minimum 45%. Këto asete që ne po japin, janë të rrënuara duke filluar nga pallati i sportit dhe pishina”.
Atird Hoxha: “Kush e ka fajin që është e rrënuar. E kanë sportistët që po thyejnë këmbët te tapeti?”
Ermal Dredha: “Me sa mbaj mend unë, pishina ka që në vitin 1992 që nuk përdoret më. Ne nuk mund të flasim sot për ndarjen e pjesëve takuese për sa kohë nuk ka dalë leja. Përfitimi më i madh që ka komuniteti vlonjat… Edhe vetë administratori i stadiumit, aktualisht po bën goxha punë aty, unë e vlerësoj se po vendos nga xhepi i tij. Pallati i sportit, që kur unë kam ardhur në bashki, ka qenë ideja që të bëhej një rregullim i lehtë i parketit dhe ka qenë një financim shumë i vogël, 1 milion euro. Por, ne nuk mundet t’i harxhojmë ato për të bërë një rikonstruksion të lehtë, sepse nesër mund të cilësohet shkelje, kur do të bëhej ky investim i madh. E njëjta gjë edhe me pishinën dhe me bibliotekën që shtohet”.
Atird Hoxha: “Në faqen pesë është e cituat që stadium i ri do të ketë një sipërfaqe prej 30 mijë m2, 6 mijë m2 do të ketë pallati i ri sportit, 3 mijë m2 pishina dhe 6 mijë m2 parkim. Ja u bën këto që thoni ju. Por, çfarë keni dhënë ju? Keni dhënë një sipërfaqe në të cilën ka 175 mijë m2 ndërtim herë 2 mijë euro… Kjo duhet të saktësohet, nuk mund të thuhet këtu që bashkia do të ketë 45%. Por 45% të kujt, të të gjithë ndërtimit? Bashkia do të ketë edhe te kulla 40 katëshe që do të ndërtohet te pallati i sportit, apo jo? Stadiumi i kamufluar me kulla, por çfarë është ky muhabet”.
Shkëlqim Leskaj: “Bashkia duhet të jetë 48% të pjesës takuese si pronar trualli. Them se ky projekt është shumë me interes. Ne si bashki kemi përfitim rreth 91 mijë m2 ndërtim dhe bashkia 49.6% e ndërtimit përfiton bashkia”.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













