Vora beson te përmbysja e situatës, Shehi: Kundër Bylisit e kemi “liri a vdekje”
Dajan Shehi mund të cilësohet si heroi i Vorës në ndeshjen kundër Dinamos, pasi shënoi një supergol, që ngjalli shpresat e mbijetesës, duke sjellë barazimin 2-2 dhe pikën e “artë” për Vorën. Është një nga të vetmit qendërmbrojtës që shfrytëzon goditjet këndore në portën kundërshtare për të përdorur kokën me shtatlartësinë e tij. E këtë herë ai shënoi një gol me vlerën e një pike jetike.

Gjatë këtij sezoni Dajan Shehi ka regjistruar 29 ndeshje me një minutazh loje aktive prej 2563 minuta, duke i munguar Vorës, gjatë këtij sezoni 6 ndeshje. Ai ka mbartur 7 ndëshkime me kartonë të verdhë, gjë që e ka pezulluar atë në vetëm një ndeshje, në atë kundër Tiranës, ku Vora humbi 0-3. Ndërsa 5 mungesat e tjera të tij kanë qenë si rezultat i një dëmtimi në shpatull në ndeshjen kundër Elbasanit, gjatë fazës së tretë e cila e la elbasanlliun e Vorës edhe 5 ndeshje të tjera jashtë fushe.
Gjithashtu Dajan Shehi mbetet lojtari që ka shënuar dy gola një për Vorën dhe një për kundërshtarët e saj. Kështu në minutën e 33-të të ndeshjes së fazës së parë, kundër Teutës ai ka shënuar autogolin e atij takimi, ku Vora mori barazim 1-1, ndërsa shënoi edhe një gol me vlera jetike ndaj Dinamos të mërkurën, duke u bërë një hero për këtë skuadër debutuese.
PRONONCIMI – ”Është një ditë gëzimi ky gol pasi ka vlera të mëdha. Në këtë stadium (Arena Kombëtare), kam pasur gjithmonë fat, sepse kam shënuar gola edhe kur luaja për Vllazninë, po kështu edhe me Teutën, por nuk e kanë pasur këtë rëndësinë si në këtë ndeshje ndaj Dinamos, që ka vlera jetike”, shprehet fillimisht pas ndeshjes kundër Dinamos. Goli i Shehit solli barazimin 2-2 e duke vijuar më tej 29- vjeçari elbasanas flet për skuadrën.
“Përpiqemi nga ana jonë që të bëjmë sa më mirë për skuadrën e Vorës, ku jemi bërë pjesë e saj që prej sezonit të kaluar. Është skuadra që jam dashuruar më shumë gjatë karrierës sime. E kësisoj dua, që kjo skuadër të mbijetojë dhe të vijojë rrugëtimin e saj në elitë. Kjo kërkon nga ana jonë që ne duhet të përgatitemi për sfidën e fundit e cila, do të jetë një ndeshje jetike për Vorën. Pikërisht ndeshja kundër ballshiotëve vendos fatet e një sezoni. E këto fate varen pikërisht në dorën tonë. Gjithçka zgjidhet brenda këtij 90- minutëshit të fundit dhe s`na mbetet asnjë alternativë tjetër përveçse fitores. Është një ndeshje vendimtare “liri a vdekje” që kërkon përkushtimin maksimal të të gjithë grupit tonë dhe jam plotësisht i bindur se do ja dalim me sukses dhe Vora mbetet në elitë”, tha pas ndeshjes kundër Dinamos qendërmbrojtësi vorak, Dajan Shehi.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













