Vlerat e lojtarëve në treg/ Kombëtarja rritet në shifra! Broja pëson rënie të madhe, Mehmeti merr kryesimin e grupit
Kombëtarja shqiptare vazhdon të konfirmojë rritjen e saj jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në aspektin ekonomik. Sipas të dhënave të fundit të vlerave të tregut, kuqezinjtë kanë një vlerë të përgjithshme prej 88.8 milionë eurosh.

Mesfusha rezulton reparti më i kushtueshëm i ekipit, ndërsa disa prej futbollistëve më të rinj të Kombëtares vijojnë të rrisin ndjeshëm vlerën e tyre në tregun europian. Në krye të listës qëndron Anis Mehmeti, i cili është aktualisht lojtari më i shtrenjtë i skuadrës, ndërsa në fund të renditjes gjenden futbollistë me eksperiencë dhe role më të kufizuara në përfaqësuese.
MË TË SHTRENJTËT- Në krye të listës së futbollistëve më të vlefshëm të Kombëtares shqiptare renditet Anis Mehmeti me një vlerë tregu prej 15 milionë eurosh. Sulmuesi i krahut dhe mesfushori ofensiv po kalon një moment të rëndësishëm në karrierë dhe konsiderohet aktualisht aseti më i kushtueshëm i kuqezinjve.
Pas tij vjen Kristjan Asllani me 12 milionë euro. Mesfushori organizator mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe një nga emrat me potencialin më të madh për të rritur më tej vlerën në vitet e ardhshme. Podiumi plotësohet nga sulmuesi Mirlind Daku me 9 milionë euro, i cili ka fituar terren falë paraqitjeve të mira dhe golave të shënuar.
Më pas vijnë Mario Mitaj me 6 milionë euro dhe Armando Broja me 5 milionë euro. Lista e 10 futbollistëve më të shtrenjtë plotësohet nga Luis Hasa dhe Kristian Shpendi me nga 4.5 milionë euro secili, ndërsa Berat Gjimshiti dhe Myrto Uzuni vlerësohen me nga 4 milionë euro. Në vendet pasuese renditet Juljan Shehu me 3.5 milionë euro.
VLERAT MË TË ULËTA – Në anën tjetër të renditjes gjenden lojtarët me vlerat më modeste të tregut. Mbrojtësi Naser Aliji rezulton futbollisti me vlerën më të ulët mes emrave të paraqitur, me 300 mijë euro. Pas tij renditet portieri Pano Qirko me 400 mijë euro. Simon Simoni, Arlind Ajeti dhe Bujar Pllana kanë secili nga 600 mijë euro vlerë tregu, ndërsa portieri Alen Sherri vlerësohet me 800 mijë euro. Këto shifra nuk reflektojnë domosdoshmërisht rëndësinë e tyre në grup, por lidhen kryesisht me moshën, kampionatin ku aktivizohen dhe perspektivën e shitjes në tregun ndërkombëtar të transferimeve.
VLERA SIPAS REPARTEVE- Analiza e skuadrës sipas reparteve tregon qartë se forca ekonomike e Kombëtares shqiptare ndodhet në mesfushë. Ky repart ka një vlerë totale prej 43.6 milionë eurosh, duke përbërë pothuajse gjysmën e vlerës së përgjithshme të ekipit. Sulmi renditet i dyti me 26.9 milionë euro, falë emrave si Mirlind Daku, Armando Broja, Myrto Uzuni dhe Cristian Shpendi. Kjo tregon se Shqipëria ka ndërtuar një repart ofensiv me potencial të konsiderueshëm për të ardhmen.
Mbrojtja ka një vlerë totale prej 16.5 milionë eurosh, ku peshën kryesore e mbajnë Mario Mitaj dhe kapiteni Berat Djimsiti. Ndërkohë, portierët përfaqësojnë repartin me vlerën më të ulët, me vetëm 1.8 milionë euro në total. Kur analizohet përbërja e Kombëtares shqiptare nga aspekti financiar, bie në sy dominimi i mesfushës, e cila përfaqëson repartin më të vlefshëm të skuadrës. Futbollistët e këtij sektori arrijnë një vlerë totale prej 43.6 milionë eurosh, gati gjysma e gjithë vlerës së ekipit.
Prania e emrave si Anis Mehmeti, Kristjan Asllani dhe Luis Hasa ka bërë që mesfusha të jetë zemra jo vetëm e lojës së kuqezinjve, por edhe e pasurisë së tyre në tregun e transferimeve. Pas mesfushës vjen reparti ofensiv, i cili kap shifrën e 26.9 milionë eurove. Sulmi shqiptar vazhdon të mbështetet te lojtarë me potencial dhe eksperiencë, ku spikasin Mirlind Daku, Armando Broja, Myrto Uzuni dhe Cristian Shpendi. Vlera e lartë e këtij reparti tregon se Shqipëria disponon alternativa cilësore në fazën sulmuese dhe lojtarë që mbeten të kërkuar në tregun europian.
Mbrojtja renditet e treta me një vlerë totale prej 16.5 milionë eurosh. Pjesa më e madhe e kësaj shifre mbështetet te Mario Mitaj dhe kapiteni Berat Djimsiti, dy futbollistë që përfaqësojnë siguri dhe eksperiencë në prapavijë. Edhe pse mbrojtja nuk arrin nivelet e mesfushës dhe sulmit në aspektin ekonomik, ajo mbetet një nga pikat më të qëndrueshme të skuadrës.
Në fund qëndrojnë portierët, me një vlerë të përgjithshme prej 1.8 milionë eurosh. Alen Sherri, Simon Simoni dhe Pano Qirko formojnë repartin me vlerën më të ulët në ekip, megjithatë diferenca financiare nuk pasqyron domosdoshmërisht rëndësinë e tyre në fushë.
Në total, Kombëtarja shqiptare arrin vlerën e 88.8 milionë eurove, ndërsa mosha mesatare prej 27.4 vjeç tregon se kuqezinjtë kanë arritur një ekuilibër mes eksperiencës dhe potencialit për të rritur më tej vlerën e tyre në vitet e ardhshme. Në ndeshjet e shtatorit, me shumë gjasa do të ketë afrime të reja, ku priten lojtarë që mund të debutojnë dhe shanset janë që vlera e Kombëtares në treg, të ulet për shkak se mund të vijnë lojtarë të rinj në moshë dhe që ende nuk janë konfirmuar.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













