Surpriza e Superiores/ Vora, mbijetesa erdhi nga kontributi i 28 lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2026 | 23:59

Surpriza e Superiores/ Vora, mbijetesa erdhi nga kontributi i 28 lojtarëve

Vora ishte një nga surprizat më të mëdha të sezonit të fundit në Kategorinë Superiore. Në debutimin e saj historik në elitën e futbollit shqiptar, skuadra e themeluar në vitin 1989 arriti të sigurojë mbijetesën, duke e mbyllur kampionatin në vendin e shtatë dhe duke lënë pas ekipe me traditë si Teuta, Bylisi dhe Flamurtari. Suksesi i Vorës ishte rezultat i një grupi të konsoliduar prej 28 futbollistësh që u aktivizuan gjatë 36 javëve të kampionatit.

vora

Në repartin e portës u alternuan Shkëlzen Ruçi dhe Romeo Harizaj, ndërsa në mbrojtje spikatën Serjan Repaj, Jurgen Vrapi, Dajan Shehi dhe Henri Zuna. Në mesfushë, lojtari më i rëndësishëm ishte Irgi Kasalla, i cili zhvilloi 33 ndeshje, shënoi 13 gola dhe dhuroi 5 asistime. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Mario Barjamaj, Kevin Dalipi dhe Enis Fasllagiç. Në sulm, Bernard Karrica ishte golashënuesi më i mirë me 7 gola dhe 4 asistime, i ndjekur nga Dario Daka dhe Luis Felipe me nga 5 gola secili. Nga 28 lojtarët e aktivizuar, 22 ishin shqiptarë dhe 6 të huaj.

Ndërkohë, disa prej protagonistëve të sezonit kanë ndryshuar skuadër gjatë merkatos së verës. Irgi Kasalla është transferuar te Kolos Kovalivka në Ukrainë, Patrik Bardhi te Vllaznia, Fatmir Prengaj dhe Manfredas Ruzgis te Besa e Kavajës, ndërsa Çibuike Prestige Ohaegbulam është rikthyer në Nigeri, te Ikorodu Siti. Ish-Kpaiteni Xhulio Tabaku është prezantuar së fundmi në Qipro. Sezoni i parë në Superiore konfirmoi Vorën si një skuadër të organizuar dhe konkurruese, e cila arriti objektivin e mbijetesës falë kontributit të të gjithë grupit.

PANORAMASPORT.AL