“Tulipanët” drejt ëndrrës për titullin botëror, Gakpo shijon “lirinë” që po e ndihmon të udhëheqë Holandën
Kodi Gakpo u kritikua nga tifozët e Liverpulit teksa skuadra dështoi të mbronte titullin e Premier League, por në Kupën e Botës ai po dëshmon se është njeriu i ndeshjeve të mëdha për kombëtaren e tij. Sulmuesi dha asistin për golin e parë të Brajan Brobej dhe më pas shënoi dy herë vetë në pjesën e dytë, ndërsa Holanda shkatërroi Suedinë me rezultatin 5-1 në Hjuston të shtunën. Pas barazimit 2- 2 ndaj Japonisë, kjo fitore i dha vrull ekipit të Ronald Komanit në turneun e Amerikës së Veriut dhe e afroi shumë me kualifikimin në fazën e 1/ 16-ve.

Në një përballje të Grupit F, ku nuk mungonin emra të mëdhenj të sulmit nga Premier League, si Aleksander Isak dhe Viktor Giokeres te Suedia, ishte pikërisht Gakpo ai që rrëmbeu vëmendjen. “Është një futbollist i jashtëzakonshëm”, tha kapiteni i Holandës dhe i Liverpulit, Virgjil van Dajk, për shokun e tij të skuadrës në “Anfield”. “Ai punon shumë për ekipin, është i disiplinuar dhe cilësia e tij bie menjëherë në sy, krosimet, asistet dhe golat.” Duke luajtur në krahun e majtë, 27-vjeçari shfrytëzoi shpejtësinë dhe forcën e tij për të depërtuar nga brenda dhe për të dhënë një pasim perfekt në zonë, të cilin Brobej e shndërroi në gol pas vetëm pesë minutash lojë.
Holanda shkoi në pushim me avantazhin 2-0 falë një goli të dytë të Brobej, ndërsa Gakpo praktikisht i dha fund rezistencës suedeze vetëm dy minuta pas rifillimit, duke shtyrë topin në rrjetë nga afër. Shtatë minuta më vonë ai realizoi edhe golin e dytë personal, duke përfituar nga një tjetër gabim i mbrojtjes suedeze. Sulmuesi kontrolloi topin, u fut në qendër me këmbën e djathtë dhe goditi fort drejt portës, pa i lënë asnjë shans portierit Kristofer Nordfeldt.
“LIRIA” – Gakpo, i cili mund të luajë edhe si sulmues qendre, realizoi vetëm shtatë gola në 36 ndeshje kampionati sezonin e kaluar, ndërsa Liverpuli dështoi zhgënjyeshëm të ruante kurorën e kampionit. Trajneri Arne Slot u shkarkua më pas dhe as Gakpo nuk i shpëtoi kritikave, pasi në disa momente dukej pa vetëbesim dhe nuk arrinte të ndikonte vazhdimisht në lojë. Disa tifozë të Liverpulit e konsideruan si një lojtar punëtor, por me kufizime në aspektin cilësor. Nuk e ndihmoi as fakti që Slot dukej se nuk kishte gjetur mënyrën më të mirë për të shfrytëzuar repartin ofensiv, ku bënin pjesë edhe Alekaandër Isak, Hugo Ekitike, Mohamed Salah, Florian Virtz dhe talenti i ri Rio Ngumoha.
Megjithatë, me fanellën e Holandës, Gakpo shndërrohet në një futbollist krejt tjetër, sidomos në skenat më të mëdha. Që nga debutimi i tij pesë vite më parë, ai ka regjistruar 23 gola dhe 12 asiste në 52 paraqitje me kombëtaren. Ende pak i njohur për publikun e gjerë të futbollit botëror, ai shënoi në të tre ndeshjet e fazës së grupeve në Kupën e Botës 2022 në Katar.
Ato paraqitje i hapën rrugën transferimit nga PSV Eindhoven te Liverpuli për një shumë fillestare prej 37 milionë paundësh, që sot përkthehet në rreth 50 milionë dollarë. Nën drejtimin e bashkëkombësit të tij Slot, Gakpo realizoi 10 gola në sezonin 2024-25, kur Liverpuli fitoi Premier League në vitin e parë të trajnerit në stol. Megjithatë, gjithmonë ka ekzistuar ndjesia se forma e tij më e mirë shfaqet me fanellën e kombëtares. Në Kampionatin Europian 2024 ai ishte golashënuesi më i mirë i përbashkët i turneut me tre gola, ndërsa Holanda u eliminua në gjysmëfinale nga Anglia.
Pas paraqitjes së shkëlqyer kundër Suedisë, Gakpo u pyet për ndryshimin mes rolit të tij te Holanda dhe atij te Liverpuli. “Pyetje e mirë. Natyrisht që është paksa ndryshe”, tha ai. “Është ndryshe në aspektin e pozicionimit që kërkon trajneri dhe në lirinë që kam këtu, krahasuar me Liverpulin.” Ndoshta e ndihmon fakti që, ndryshe nga situata në klub, Ronald Kuman e ka bërë të qartë se Gakpo është një nga lojtarët kryesorë të skuadrës së tij. Kapiteni Van Dajk e përmblodhi rëndësinë e tij me pak fjalë: “Ai është shumë i rëndësishëm për ne dhe duam që të vazhdojë në këtë mënyrë.”
PANORAMASPORT.AL













