EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Beqiri: Ekipit i mungoi përgatitja psikologjike në “Final 4”, prioriteti i Vllaznisë të jenë grupet në… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2026 | 0:10

EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Beqiri: Ekipit i mungoi përgatitja psikologjike në “Final 4”, prioriteti i Vllaznisë të jenë grupet në… (E PLOTË)

Nga Kanadaja ku jeton prej disa vitesh tashmë, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, Elvin Beqiri. Ish-mbrojtësi kuqezi nuk i ndahet futbollit, duke treguar eksperiencën e tij me një akademi shqiptare në Toronto.beqiriE po ashtu duke folur edhe për emocionet e Botërorit në këtë vend. Por, ndër të tjera shkodrani ndalet edhe te Superiorja e Vllaznia në veçanti, ku analizon kuqeblutë dhe atë se çfarë mungoi në syrin e tij në fazën finale të sezonit. Ndër të tjera, Beqiri vlerëson faktin se projekti vijon me Martinin e Sinani. Teksa po ashtu thekson se Vllaznia duhet të nxjerrë mësime nga gabimet e ti përmirësojë ato.

Beqiri, fillimisht ndalemi tek një organizim gjigand së fundmi i akademisë ku ju punoni tashmë në Kanada. Diçka më shumë për publikun?

Ishte iniciativa e një prej biznesmenëve shqiptarë këtu në Toronto, Tomi Loçi, si edhe me mbështetjen e biznesmenit tjetër, Erjon Beqiraj, të cilët shprehën dëshirën për hapjen e një akademie futbolli këtu në Toronto. Duke ditur se më parë nuk ka pasur diçka të tillë, ata menduan të ndërmerrnin këtë nismë për komunitetin tonë, i cili tashmë është mjaft i madh në Kanada dhe veçanërisht në Toronto.

Ata më ofruan pozicionin e drejtuesit të akademisë, ku shumë shpejt presim të na bashkohet edhe një emër i njohur i futbollit shqiptar, Olsi Teqja. Të dy do të jemi në drejtimin e akademisë Albanian Eagles FC. Regjistrimet kanë filluar dhe po ecin me një ritëm të kënaqshëm, pasi akademia jonë, përveç komunitetit shqiptar, është e hapur të bashkëpunojë edhe me komunitete të tjera, duke qenë në përputhje me mënyrën dhe sistemin kanadez të zhvillimit të futbollit.

Po Botërori, si po përjetohet në një vend pa shumë traditë në futbollin?

Atmosfera është mjaft festive. Njerëzit këtu po e shijojnë në maksimum këtë Botëror, duke ditur se në Kanada jetojnë emigrantë nga vende të ndryshme të botës. Sa herë që del në rrugë, sheh në makinat e tyre flamuj dhe simbole të shteteve nga vijnë, duke mbështetur ekipet e zemrës dhe duke krijuar një atmosferë të veçantë sportive. Futbolli tashmë është sporti numër një dhe kryefjala e çdo familjeje kanadeze, të paktën deri në fund të këtij Botërori. Kjo energji ndihet kudo dhe e bën turneun edhe më interesant për t’u ndjekur.

Rikthehemi pak tek Superliga, si e shikove sezonin 2025-26?

Mendoj se ishte emocionuese dhe shumë interesante nga mënyra se si rrodhën ngjarjet. Final 4 këtë vit kishte më shumë adrenalinë dhe rivalitet, pasi çdo ndeshje ishte e luftuar deri në detaj. Pikërisht kjo e bëri garën më tërheqëse për tifozët dhe për të gjithë ata që e ndoqën kampionatin.

Po Vllaznia në veçanti, nuk i përmbushi pritshmëritë apo jo?

Futbolli është i tillë. Nëse nuk je i përgatitur dhe i përqendruar deri në fund, do ta kesh shumë të vështirë të arrish objektivin. Kështu ndodhi edhe me Vllazninë, e cila në pjesën më të rëndësishme të sezonit nuk arriti të ruante balancat psikoemocionale për të dhënë maksimumin në tri ndeshjet e Final 4. Në momente të tilla vendosin detajet dhe menaxhimi i presionit.

Çfarë i mungoi kuqebluve për triumfin final?

Mendoj se mungoi përgatitja e duhur psikologjike e ekipit. Mu duk sikur po shihnim një skuadër tjetër në krahasim me paraqitjet që Vllaznia kishte bërë gjatë sezonit të rregullt. Në ndeshjet vendimtare ekipi nuk arriti të shfaqte të njëjtën qetësi dhe siguri që kishte treguar më parë.

Do vështirësohen gjërat për shkodranët në sezonin që vjen?

Ekipet e Superiores nuk kanë diferenca shumë të mëdha mes njëra-tjetrës, të paktën kështu u pa në kampionatin e fundit. Vllaznia çdo vit do të jetë pretendente për objektiva madhorë, por mendoj se këtë sezon do ta ketë më të vështirë, duke parë merkaton që po zhvillojnë ekipet rivale. Gjithsesi, sezoni është i gjatë dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë gjatë rrugës.

Pozitiv fakti që vijon projekti me dyshen Martini si trajner e Sinani si drejtor sportiv?

Të dy kanë bërë një punë të mirë te Vllaznia. Pavarësisht se nuk u arrit objektivi final, puna dhe angazhimi i tyre gjatë gjithë sezonit kanë qenë pozitive. Kush punon edhe gabon, ndaj mendoj se përvoja e sezonit të fundit do t’i bëjë edhe më të fortë dhe më të përgatitur për të ardhmen. Jam i bindur se kanë nxjerrë mësimet e duhura nga ajo periudhë.

Duhet të ndryshojë klubi qasje përsa i përket merkatos dhe lëvizjes së futbollistëve?

Nuk jam i mendimit që të bëhen lëvizje të shumta apo një revolucion në skuadër. Duhet të presim edhe pak për të dhënë një opinion më të qartë mbi largimet dhe afrimet që do të realizohen. Vlerësimet më të sakta mund të bëhen vetëm pasi të përfundojë merkatoja dhe të shihet grupi i plotë i ekipit.

Si e shikon duelin e Conference League, Vllaznia e “detyruar” për kualifikim?

Unë mendoj se Vllaznia duhet të fokusohet më shumë te kalimi i tureve dhe pjesëmarrja në grupet e Conference League sesa vetëm te titulli kampion. Kjo do të rriste ndjeshëm të ardhurat dhe kredibilitetin e klubit në arenën ndërkombëtare, duke krijuar mundësi më të mëdha për afrimin e futbollistëve cilësorë. Një sukses i tillë do t’i jepte klubit më shumë stabilitet dhe do të krijonte bazat për rezultate të qëndrueshme edhe në vitet e ardhshme

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL