Kupa e Botës, 10 duelet spektakolare në 23 edicione! Italia ndodhet në tre raste
Me rastin e zhvillimit të ndeshjes së 1000-të në historinë e Kupës së Botës, FIFA ka rikthyer në kujtesë dhjetë nga sfidat më emocionuese dhe të paharrueshme të turneut më prestigjioz të futbollit, që numëron edicionin e 23- të nga 1930-2026.

PORTUGALI – KOREJA E VERIUT 5-3 Angli 1966 | Çerekfinale
Portugalia vinte e motivuar pas fitores ndaj kampionëve në fuqi të Brazilit në fazën e grupeve dhe konsiderohej favorite ndaj Koresë së Veriut. Por aziatikët befasuan duke kaluar në avantazh 3-0. Në atë moment doli në skenë legjenda Eusebio, i cili shënoi katër gola dhe udhëhoqi një përmbysje të jashtëzakonshme.
ITALI – GJERMANIA PERËNDIMORE 4-3 Meksikë 1970|Gjysmëfinale
Goli i hershëm i Roberto Boninsenjas premtoi spektakël, por portierët dhe mbrojtësit mbajtën rezultatin të pandryshuar deri në minutën e 92-të, kur Karl-Heinz Shnelinger barazoi për Gjermaninë. Më pas erdhi një shtesë e çmendur me pesë gola, ku Xhani Rivera vulosi fitoren italiane në atë që u pagëzua si “Ndeshja e Shekullit”.
ITALI – BRAZILI 3-2 Spanjë 1982 | Faza e dytë e grupeve
Paolo Rosi kishte mbi 15 orë lojë pa shënuar dhe shumë prisnin që ai të lihej jashtë formacionit. Trajneri Enzo Bearzot vazhdoi t’i besonte sulmuesit, i cili iu përgjigj me një tripletë historike kundër një Brazili plot yje, duke realizuar një nga paraqitjet më ikonike në historinë e Botërorëve.
Francë – Gjermania Perëndimore 3-3 (4-5 me penallti) Spanjë 1982 | Gjysmëfinale
Kjo ishte ndeshja e parë e Kupës së Botës që u vendos nga penalltitë. Megjithatë, seria e goditjeve nga pika e bardhë ishte vetëm fundi i një drame të pabesueshme. Franca kaloi në avantazh 3-1 në shtesë, por gjermanët reaguan dhe barazuan 3-3, përpara se të triumfonin në penallti.
Brazil – Francë 1-1 (3-4 me penallti) Meksikë 1986 | Çerekfinale
Katër vite më vonë, Franca ishte sërish protagoniste e një përballjeje epike. Kareka kaloi Brazilin në avantazh pas një aksioni fantastik, ndërsa Mishel Platini barazoi. Ziko humbi një penallti gjatë lojës, ndërsa në serinë finale gabuan edhe Sokrates dhe Hulio Cezar, duke i hapur rrugën Luis Fernandezit për të dërguar Francën në gjysmëfinale.
Holanda – Brazili 2-3 SHBA 1994 | Çerekfinale
Romario dhe Bebeto dukeshin se kishin siguruar kualifikimin për Brazilin, por Holanda reagoi me golat e Denis Bergkamp dhe Aron Uinter. Në fund, një goditje dënimi spektakolare e Brankos vendosi fatin e një dueli të paharrueshëm në Dallas, në favor të kampionëve të ardhshëm të botës.
Argjentina – Anglia 2-2 Francë 1998 | 1/8-at e finales
Një tjetër kapitull i rivalitetit historik mes dy kombëtareve. Argjentina kaloi në avantazh, por Majkëll Ouen realizoi një gol të jashtëzakonshëm individual për Anglinë. Më pas David Bekham u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa ndeshja shkoi te penalltitë, ku argjentinasit treguan më shumë qetësi.
Gjermania – Italia 0-2 Gjermani 2006|Gjysmëfinale
Një përballje mes gjigantësh në Dortmund. Pavarësisht mungesës së golave në kohën e rregullt, emocionet nuk munguan. Italia goditi shtyllën disa herë dhe krijoi raste të shumta, derisa Fabio Groso zhbllokoi rezultatin në minutat e fundit të shtesës. Alesandro Del Piero vulosi më pas suksesin që e çoi Italinë në finale.
Portugalia 3-3 Spanja Rusi 2018 | Faza e grupeve
Një nga performancat më të mira të Kristiano Ronaldos në Kupën e Botës. Sulmuesi portugez realizoi një tregolësh ndaj Spanjës. Pasi Diego kosta kishte barazuar dy herë për iberikët dhe Naço kishte përmbysur rezultatin me një supergol, Ronaldo shënoi një goditje dënimi spektakolare në minutën e 88-të për të vulosur barazimin.
Franca 3-3 Argjentina (3-4 me penallti) Katar 2022 | Finale
Shumë e konsiderojnë finalen më të madhe në historinë e futbollit. Argjentina e Lionel Mesit dukej se po shkonte drejt titullit të parë botëror pas 36 vitesh, por Kilian Mbape realizoi dy gola të shpejtë dhe riktheu Francën në lojë. Dy superyjet shënuan sërish në shtesë dhe edhe në penallti, përpara se Gonzalo Montiel të vuloste triumfin argjentinas në një finale që do të mbahet mend përgjithmonë.
PANORAMASPORT.AL













