Analiza e një vere vendimtare për Partizanin, Daiu: Trajneri të imponojë respekt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2026 | 23:37

Analiza e një vere vendimtare për Partizanin, Daiu: Trajneri të imponojë respekt

Partizani po kalon një nga momentet më delikate të viteve të fundit. Pas një sezoni zhgënjyes, ku skuadra mbeti jashtë “Final Four” dhe humbi mundësinë për të marrë pjesë në Kupat e Europës, drejtuesit janë përballë disa vendimeve që mund të ndikojnë drejtpërdrejt te e ardhmja e klubit.

perparim daiu

Emërimi i trajnerit të ri mbetet prioriteti kryesor, ndërsa paralelisht pritet të marrin formë edhe lëvizjet në merkato. Në një periudhë kur tifozët presin rikthimin e ekipit në nivelet më të larta të futbollit shqiptar, ish-futbollisti dhe trajneri i njohur Përparim Daiu në një intervistë për “Panorama Sport” analizon situatën aktuale të Partizanit. Ai ndalet te çështja e trajnerit të ri, rëndësia e merkatos, nevoja për përforcime, ndikimi i fushës së re në “Arenën e Demave”, si dhe objektivat që duhet të ketë klubi për sezonin e ardhshëm.

Partizani ende nuk e ka zyrtarizuar trajnerin e ri. Mendoni se të kuqtë po vonohen disi, duke mos qenë shumë të qartë në përzgjedhje?

Normalisht duhet ta kenë vendosur, ose ta kenë vendosur tashmë trajnerin, sepse në dukje duket sikur ka kohë, por koha kalon shumë shpejt. Pa e kuptuar, mund të mbetesh prapa në organizim, në planifikim dhe në riformatimin e skuadrës, si në hyrje ashtu edhe në dalje.

Pritet që në stolin e Partizanit të vijë një trajner i huaj. Si e gjykoni këtë zgjedhje të drejtuesve?

Nuk duhet të jem paragjykues, megjithëse mendimi im ka qenë gjithmonë për një trajner vendas. Interesant është fakti që trajnerët rumunë (Bratu) janë të preferuar si në Europë, ashtu edhe në kontinente të tjera. Personi që po përflitet për drejtimin e Partizanit ka një CV dhe eksperiencë në trajning. Ju mund të thoni që eksperienca e fundit nuk ka qenë e suksesshme, por unë mendoj se janë shumë faktorë që ndikojnë në rezultatet e një trajneri. E para dhe më e rëndësishmja është të kesh në dispozicion një skuadër konkurruese dhe me elementë cilësorë.

Sa e rëndësishme është që trajneri i ri të njohë kampionatin shqiptar?

Mendimi im është se rëndësi ka mënyra se si ky trajner do të përshtatet dhe çfarë do të sjellë ndryshe, gjithmonë për mirë. Ai duhet të imponojë respekt në klub, te drejtuesit, të fitojë besimin dhe mbështetjen e tifozëve, por pse jo, të imponojë respekt edhe te kundërshtarët.

Sa e rëndësishme është që Partizani të nisë mirë kampionatin që në javët e para?

Është një shprehje që thotë se fillimi i mbarë është gjysma e punës. Në aspektin figurativ është e vërtetë, por unë mendoj se ndikon shumë edhe në moral dhe në rritjen e besimit për të arritur rezultate, si për trajnerin ashtu edhe për lojtarët, sepse Partizani nuk ka objektiva të lehtë.

Pa trajnerin, edhe merkatoja është e ndalur. Ku mendoni se ka më shumë nevojë Partizani të përforcohet?

Pa diskutim që merkatoja nuk fillon pa emërimin e trajnerit, sepse ai është personi që do të shohë ku ka nevojë skuadra të ndërhyjë për të afruar lojtarët që mund të bëjnë diferencën. Mendimi im është se Partizani ka emergjencë në repartin defensiv dhe në mesfushë. Duhet të ketë në përbërje edhe forcë fizike, edhe kreativitet.

Cili lojtar mendoni se mund të jetë çelësi i Partizanit në sezonin e ardhshëm?

Unë nuk besoj shumë te individi, por te ata lojtarë cilësorë dhe liderë që dinë të udhëheqin ekipin dhe të shkrihen me grupin. Nëse këtë sezon do të kemi fatin të shohim një Partizan të furishëm, të fortë fizikisht, por edhe shtatlartë, ashtu siç ka qenë tradita, me futbollistë të fortë në sulm dhe me kreativitet, atëherë te tifozët do të rikthehet ëndrra për Partizanin që ata duan dhe dëshirojnë.

Sa mendoni se do të ndikojë rregullimi i terrenit në stadiumin “Arena e Demave”, me fushën që nuk do të jetë më tërësisht artificiale? 

Sidomos në aspektin e dëmtimeve… Kur pretendon të jesh një ekip elitar që synon trofe, natyrisht që stadiumi dhe tapeti i ri me standarde do të jenë një shtysë për cilësinë dhe rendimentin në lojë. Pa diskutim që do të jetë shumë më komod për interpretimin e lojës dhe do të ndikojë pozitivisht edhe te dëmtimet, të cilat kanë qenë evidente me tapetin e vjetër. Shpresoj që infrastruktura të jetë në sinkron me ekipin.

A mendoni se mungesa në Kupat e Europës do të ndikojë ndjeshëm te Partizani në aspektin sportiv dhe financiar?

Partizani do të ketë një motiv më shumë edhe në përzgjedhjen e futbollistëve cilësorë. Jam kundër sasisë dhe i jap më shumë rëndësi cilësisë. Kjo do të përkthehej që nesër, përveç arritjes së objektivave sportive, të rriteshin edhe të ardhurat si nga pjesëmarrja në Europë, ashtu edhe nga vlera e futbollistëve të veçantë në merkato. Gjithashtu, i mëshoj faktit që klubi të mos heqë dorë nga talentet e akademisë.

A besoni se Partizani do të rikthehet të garojë sërish për titullin në sezonin e ardhshëm, apo ekipi do të vuajë përsëri nëse nuk ka një projekt të qartë edhe jashtë fushës?

Partizani, për vetë emrin që ka, lufton gjithmonë për titull. Por ky titull vjen dhe do të vijë vetëm me një projekt serioz. Jo vetëm nga ana e presidentit, por edhe stafi që ai zgjedh dhe i beson duhet të jetë profesionist, i përkushtuar, shumë punëtor dhe tepër kërkues në çdo aspekt. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet një skuadër që synon suksesin dhe që rikthehet aty ku e ka vendin.

PANORAMASPORT.AL