ZYRTARE/ Elbasani heq vëmendjen nga reparti ofensiv, prezanton mbrojtësin nga kategoria e dytë
Joan Epitaux është prezantuar nga Elbasani. Futbollisti, i cili ishte kapiten i Neuchatel Xamax në Zvicër, i bashkohet skuadrës së Ivan Gvozdenoviçit në fazën përgatitore që po zhvillohet në Zlatibor të Serbisë.

Drejtuesit elbasanas kanë punuar prej ditësh për këtë operacion. Epitaux konsiderohet si një futbollist me eksperiencë dhe personalitet, ndërsa ardhja e tij shihet si një lëvizje shumë e rëndësishme për repartin difensiv, në prag të ndeshjeve të Conference League ndaj BATE Borisov.
Kjo është lëvizja e parë në mërkato që nuk vjen për repartin ofensiv. Tashmë është një mbrojtës që i bashkohet ekipit.
KARRIERA
Mbrojtësi qendror vjen pas një sezoni të rregullt në Zvicër, ku ka qenë një nga lojtarët më të aktivizuar të skuadrës së tij. Ai regjistroi 26 ndeshje në kampionat, duke konfirmuar rëndësinë që kishte në organikën e Xamax.
Përveç cilësive mbrojtëse, Epitaux vlerësohet edhe për karakterin e tij si lider në fushë, një element që Elbasani e ka kërkuar në këtë merkato, duke qenë se skuadra do të përballet me sfida të rëndësishme si në Europë ashtu edhe në kampionatin shqiptar.
PANORAMASPORT.AL













