Zyrtare! Superiores do i shtohen skuadrat, konfirmohet formula e re për sezonin 2026/27 dhe jo vetëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2026 | 17:54

Zyrtare! Superiores do i shtohen skuadrat, konfirmohet formula e re për sezonin 2026/27 dhe jo vetëm

Lajm i “Panorama Sport” për formulën e re në Abissnet Superiore është konfirmuar. Numri i skuadrave në elitë do të jetë 12 që nga sezoni 2027/28. Sa i përket sezonit që po vjen(2026/27), do të bie vetëm vendi i dhjetë nga kategoria. Vendi i nëntë ndërkohë do luajë në “play out”. Final Four ndërkohë hiqet përfundimisht. Pas tre fazave, ose ndryshe 27 javëve, kampionati do ndahet në dy grupe. Një për të vendosur titullin kampion dhe Europën, ndërsa grupi tjetër për t’i shpëtuar rënies nga kategoria.  

komiteti ekzekutiv

NJOFTIMI I FSHF:

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së zhvilloi këtë të martë mbledhjen e radhës në “Shtëpinë e Futbollit”. Agjenda e mbledhjes përfshinte një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e futbollit shqiptar, duke nisur nga ndryshimet në rregulloret e garave dhe formatet e kampionateve, deri te projektet infrastrukturore.

Një nga vendimet më të rëndësishme të miratuara në mbledhjen e sotme ishte ndryshimi i formatit të kampionatit “Abissnet Superiore”, që do të hyjë në fuqi duke filluar nga sezoni 2026/2027, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së kampionateve, ruajtjen e interesit sportiv gjatë gjithë sezonit dhe përmirësimin e përgatitjes së klubeve shqiptare për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane

Nga sezoni 2026/2027, kampionati nuk do të zhvillohet më me katër faza të rregullta, 36 javë garë dhe fazën “Final 4”. Formati i ri parashikon zhvillimin e tre fazave të rregullta, me gjithsej 27 javë.

Pas përfundimit të tyre, skuadrat do të ndahen në dy grupe, bazuar në renditjen përfundimtare. Pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së fazave play-off dhe play-out.

Gjashtë skuadrat e renditura në vendet e para do të kualifikohen në fazën play-off, ku do të zhvillojnë ndeshje me sistem vajtje-ardhje, me një total prej 10 javësh garë. Skuadra që renditet në vendin e parë në përfundim të kësaj faze do të shpallet kampione e edicionit 2026/2027.

Katër skuadrat e renditura në vendet e fundit (nga vendi i 7-të deri në vendin e 10-të) do të marrin pjesë në fazën play-out, ku do të luajnë gjithashtu me sistem vajtje-ardhje-vajtje, në një total prej 9 javësh garë.

Skuadra e renditur në vendin e fundit në përfundim të fazës play-out do të bjerë automatikisht në Kategorinë e Parë. Dy vendet e para të Kategorisë së Parë në përfundim të këtij sezoni ngjiten automatikisht në “Abissnet Superiore”.

Ekipet e renditura në vendet e 3, 4, 5 dhe 6 të Kategorisë së Parë në fazën play-off do të zhvillojnë ndeshje sipas skemës 3 vs 6 dhe 4 vs 5. Fituesit e këtyre dy çifteve do të përballen në një finale dhe fituesi i kësaj finaleje do të ngjitet në kampionatin “Abissnet Superiore” në sezonin e ardhshëm.

Ndërsa skuadra tjetër finaliste do të zhvillojë një finale me skuadrën e renditur e parafundit në fazën play-out të “Abissnet Superiore”. Fituesja e këtij dueli do të sigurojë pjesëmarrjen në “Abissnet Superiore”.

Ndërkohë, duke filluar nga sezoni 2027/2028, kampionati “Abissnet Superiore” do të zgjerohet nga 10 në 12 skuadra. Sipas formatit të ri, kampionati do të zhvillohet në dy faza të rregullta, me gjithsej 22 javë garë.

Pas përfundimit të tyre, skuadrat do të ndahen në dy grupe sipas renditjes përfundimtare pas 22 javësh. Pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së fazave play-off dhe play-out.

Gjashtë skuadrat e para do të garojnë në fazën play-off, ku do të zhvillojnë ndeshje me sistem vajtje-ardhje, në total 10 javë garë. Skuadra e renditur në vendin e parë do të shpallet kampione e edicionit 2027/2028.

Po ashtu, gjashtë skuadrat e renditura në gjysmën e poshtme të tabelës do të zhvillojnë fazën play-out, me sistem vajtje-ardhje dhe 10 javë garë. Dy skuadrat e renditura në dy vendet e fundit do të bien automatikisht në Kategorinë e Parë për sezonin pasardhës.

Skuadra e renditur e treta e parafundit do të luajë ndeshjen e play-off-it për qëndrimin në kategori ndaj fituesit të fazës play-off të Kategorisë së Parë (luhet mes skuadrave të renditura në vendet 3-4-5-6).

LEXO EDHE

EKSKLUZIVE/ Risi e madhe! Ndryshon numri i skuadrave në Superiore, ja si pritet formula e re për sezonin 2026-2027

Revolucion në Superiore! Ulet numri i ndeshjeve, formula ndryshon sërish në sezonin 2027/28 (PLANI)

Si do të shtohet numri i skuadrave të Superiores, Komiteti Ekzekutiv sjell risinë e madhe nga Kategoria e Parë

PANORAMASPORT.AL