Ish-futbollisti i Flamurtarit shpërthen me akuza, Gjyli: Bylis ra me dëshirë, kampionati ishte i trukuar
Nga Vlora vijnë akuza të forta për kampionatin e sapopërfunduar të Kategorisë Superiore. Ish-futbollisti i Flamurtarit, Thanas Gjyli, në një prononcim për “Panorama Sport”, deklaron se fatet e shumë ndeshjeve ishin të paracaktuara dhe se kampionati ishte i manipuluar. Ai shkon edhe më tej, duke akuzuar Bylisin se ra me dëshirë nga kategoria, ndërsa sulmon ashpër edhe arbitrimin.

“Flamurtari, me gjithë defektet që kishte, bëri një luftë serioze dhe ishte i vetmi që nuk u bë pjesë e aleancave dhe trukimeve gjatë gjithë kampionatit. Fjalët që dëgjuam në fillim të sezonit, se Egnatia do të fitonte Kupën, Dinamo kampionatin dhe se Flamurtari bashkë me Bylisin do të binin nga kategoria, rezultuan të sakta. Më vjen keq ta them, por ky ishte një kampionat i trukuar. Është hera e parë në historinë e futbollit që një ekip si Bylisi bie me dëshirë nga Superiorja. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës. Ky është një rast unik, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më gjerë. Po të shikosh edhe të dhënat e fundit të UEFA-s, të cilat i kam lexuar te ‘Panorama Sport’, kampionati ynë renditet ndër më të dobëtit në Europë në katër vitet e fundit. Qarqeve të caktuara u ka leverdisur të ruajnë këtë formulë, sepse e kanë pasur futbollin nën kontroll. Flamurtari, pavarësisht të metave që kishte, ra padrejtësisht nga Superiorja. Stadiumi i Vlorës ishte i vetmi në Shqipëri që ka mbledhur rregullisht rreth 6000 tifozë edhe kur skuadra ndodhej në vendin e fundit”, deklaroi fillimisht Gjyli.
GJYQTAR “KAMIKAZ”
Ish-futbollisti vlonjat rezervoi kritika të forta edhe për arbitrimin, duke veçuar gjyqtarin Eldorian Hamitin. “Nuk është vetëm çështje futbolli, por edhe arbitrimi. Ky lloj gjykimi,ndër më skandalozët që kemi parë. Ju vetë jeni dëshmitarë se sa penallti na janë mohuar në Vlorë. Rasti më flagrant ishte në ndeshjen kundër Teutës. Hamiti, në minutën e 93-të, nuk na dha një penallti që ishte e pastër. Përjashtoj dy ose tre ndeshje që na i ka arbitruar Emanuela Rusta dhe që ka zhvilluar paraqitje perfekte. Arbitrat e tjerë që erdhën në Vlorë e gjykuan Flamurtarin në raport 70 me 30 kundër nesh. Nuk ka mundësi që në katër ndeshje me Teutën, tre prej tyre t’i arbitrojë Hamiti dhe ne t’i humbasim ato për shkak të gabimeve të rënda të tij. Përgjegjësi kanë edhe ata që kanë qenë në VAR. Nuk mund të mos e verifikosh një rast që është një milion % penallti. Dallohej qartë driblimi i Maksutit dhe prekja e topit me dorë. Nëse ai episod do të gjykohej drejt, sot Flamurtari do të ishte në Superiore.
Edhe vende si Greqia, kur e kuptuan se kampionati po hynte në fazën vendimtare, sollën arbitra të huaj për ndeshjet më delikate. Te ne arbitrimi lë shumë për të dëshiruar. Arbitrat janë të mirëinformuar edhe për çështjen e kartonëve. Nëse i analizon të gjitha ndeshjet, do të shohësh se shumë lojtarë të Flamurtarit janë ndëshkuar me kartonë të verdhë në momentet që i shërbenin dikujt. Turpi më i madh është se në fazën e katërt të kampionatit vetëm Flamurtari ka luajtur ndershëm, të tjerat ishin të trukuara. Egnatia la ndeshje, Teuta la, gjithashtu edhe Vllaznia me Bylisin. Ne ishim të vetmit që luftuam deri në fund dhe nuk lëshuam asnjë ndeshje. Fatkeqësia jonë ishte që na ra përballë një arbitër si Hamiti, i cili për mua është ‘kamikazi’ i arbitrave shqiptarë dhe numri një në zbatimin e detyrave që i jepen”, u shpreh Gjyli.
E ARDHMJA E FLAMURTARIT
Ish-futbollisti i Flamurtarit beson se skuadra vlonjate do të rikthehet shumë shpejt në elitë. “Jam i sigurt se Flamurtari do të jetë sërish në Superiore vitin e ardhshëm. Këtë sezon duhet të bëhen investimet e duhura dhe të ndërtohet një bazë solide jo vetëm për ngjitjen, por edhe për vazhdimësinë. Mendoj se 60-70% e lojtarëve që do të jenë pjesë e ekipit këtë sezon duhet të mbeten edhe për sezonin pasardhës. Është shumë e vështirë të ndërtosh një skuadër konkurruese kur afron 16 apo 17 lojtarë të rinj çdo vit. Jam i bindur se drejtuesit do të bëjnë zgjedhjet e duhura dhe Flamurtari do të rikthehet aty ku e ka vendin, në Superiore”, përfundoi Thanas Gjyli.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













