Lider i Anglisë, Deklan Rajs pranon se ka luajtur me dhimbje në start
Deklan Rajs pranoi se ka menaxhuar një dhimbje të fshehtë në kofshë që prej periudhës së Krishtlindjeve me Arsenalin, duke e përballuar atë paralelisht me ngarkesën “e pabesueshme” prej 63 ndeshjesh sezonale.

Mesfushori nuk e fshehu për “ITV Sport” se ka luajtur me dhembje të vazhdueshme për gati gjysmë viti. Ai e quajti numrin e ndeshjeve të këtij sezoni si “të pamëshirshëm”, në një kohë që luajti ndeshjen e tij të 63- të sezonal në premierën e Anglisë në Botëror. Pavarësisht lodhjes ekstreme, ai deklaroi se është në gjendje të shkëlqyer dhe gati të luajë çdo ndeshje për Anglinë.
Mesfushori i Arsenalit konfirmoi se zëvendësimi i tij në minutën e 72-të gjatë ndeshjes hapëse të Kupës së Botës kundër Kroacisë në Dallas ishte thjesht një masë paraprake për të shmangur dëmtimet në minutat e fundit të një sezoni të stërmbushur. Pavarësisht se kalendari është shpesh “i çmendur”, ai theksoi se nuk do të ankohet dhe se është i gatshëm “të lërë lëkurën” për ekipin”. Sipas Rajs, ky sakrificë vlen për të përjetuar emocione të tilla si triumfi në Premier Ligë.
Sigurisht që edhe roli si zëvendëskapiten i Anglisë ka qenë themelor sa i takon paraqitjeve të lojtarit, teksa, gjendja fizike jo e mirë nuk e ka penguar 27-vjeçarin të marrë një përgjegjësi edhe më të madhe në kombëtare. Eshte e ditur tashmë se trajneri i Anglisë, Tomas Tuhel, e ka emëruar Deklan zyrtarisht zëvendëskapiten të “Tre Luanëve”.
Ky vlerësim vjen pas një sezoni ku Rajs luajti 4456 minuta për Arsenalin, duke u konfirmuar si një nga shtyllat kryesore të formacionit. Ai konfirmoi, gjithsesi, se ditët e fundit është ndier jashtëzakonisht mirë dhe është i uritur për të dhënë gjithçka në fushë për Anglinë. Kujtojmë që sonte “Tre Luanët” do të luajnë ndeshjen e dytë në grupe dhe kanë mundësinë që nëse fitojnë ndaj Ganës, të kualifikohen direkt në fazën tjetër.
PANORAMASPORT.AL













