ZYRTARE/ Dinamo zgjidh një nga telashet, rinovon me sulmuesin: Do marrë rolin e liderit
Klubi i Dinamos pa vazhdon me rinovimet e kontratave të futbollistëve që kanë qenë në radhët e bluve në këto vite. Ndërsa ka humbur shërbimet e emrave si Bregu e Berisha, blutë kanë arritur që të mbajnë të paktën një nga lojtarët që ka qenë pikë fikse në repartin e avancuar, Lorenco Vilën.

Ata kanë bërë të ditur se kanë rinovuar për dy edicione të tjera kontratën me sulmuesin durrsak.
“Lorenco Vila, edhe 2 vite blu!
Vazhdojmë bashkë edhe me Lorenco Vilën. FC Dinamo dëshiron të bëjë me dije se ka rinovuar kontratën për dy vitet e ardhshme me futbollistin Lorenco Vila, pjesë e rëndësishme e jona gjatë 3 sezoneve të fundit.
Presidenti Adrian Bardhi dhe klubi e shohin këtë lojtar si një element me vlera në projektin ambicioz për t’i çuar 18 herë kampionët e vendit në majën e futbollit shqiptar.
Me kualitetin që zotëron dhe pjekurinë që ka fituar tashmë me fanellën dinamovite, besojmë fort se Vila është një nga ata lojtarë që do të marrin rolin e liderit të skuadrës sonë”, shkruhej në njoftimin e dinamovitëve.
PANORAMASPORT.AL













