Flet trajneri i ri i Tiranës, Klafuriç: Nder që jam pjesë e klubeve të mëdha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2026 | 11:46

Flet trajneri i ri i Tiranës, Klafuriç: Nder që jam pjesë e klubeve të mëdha

Në Bosnjë e konsiderojnë goditje firmën e Dean Klafuriç me Tiranën. Shtypi i dy vendeve pranon se Klafuriç ka marrë një skuadër të madhe, por ka ana tjetër ka një objektiv të qartë. Të fitojë titullin kampion. Mediat boshnjake pranojnë se qëllimi është goxha i lartë dhe një lojë e fortë.

klafuric

VIZIONI – Pjesën e dytë të sezonit të kaluar, pas ndarjes me Shiroki Brijegun, trajneri nga Velika Gorica, Dean Klafuriç (53 vjeç), e kaloi në shtëpi, në Kurilovec, duke pushuar trupin dhe mendjen nga streset e profesionit të trajnerit. Tani pushimi ka përfunduar, pasi Klafuriç është emëruar trajneri i ri i Tiranës. Tirana është klubi më i suksesshëm në Shqipëri, me 26 tituj kampionë në historinë e saj, ndërsa titulli i fundit është fituar në vitin 2022. Në sezonin e kaluar, bardheblutë e mbyllën kampionatin në vendin e gjashtë, ndaj Klafuriç do të ketë detyrën ta përmirësojë ndjeshëm situatën dhe, nëse është e mundur, ta rikthejë klubin në rrugën e sukseseve të dikurshme. Tirana është stacioni më i ri në rrugëtimin e pasur të trajnerit kroat.

KARRIERA – Kroati e nisi karrierën te klubet e rajonit të Turopoljes, për të arritur më pas në postin e përzgjedhësit të kombëtares së femrave të Kroacisë. Më tej punoi në akademinë e Dinamos së Zagrebit dhe më pas si ndihmëstrajner i ekipit të parë. Karriera e tij e çoi edhe në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ku punoi tek Al Nasr dhe Al Ain. Më vonë drejtoi Goricën, fitoi titullin kampion dhe Kupën e Polonisë me Legian e Varshavës, punoi në Qipro dhe Serbi, drejtoi klubin hungarez Honved, si dhe Velezhin e Mostarit në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa deri në janar ishte në krye të Shiroki Brijegut. “Duket se, në çdo vend ku kam punuar, kam qenë pjesë e klubeve më të mëdha. Kur e shoh këtë listë, mund të jem vetëm mirënjohës ndaj Zotit, sepse nëse dikush do të ma kishte thënë një gjë të tillë dhjetë vite më parë, do t’i thosha se është i çmendur”, është shprehur Klafuriç.

ÇFARË E PRET – Kampionati shqiptar do të nisë në mënyrë jo të zakonshme, vetëm në muajin shtator(me gjasa në 22 gusht), çka do t’i japë trajnerit të ri më shumë kohë për t’u përgatitur për sfidat që e presin. Përgatitjet do të nisin në ditën e parë të korrikut. Në dispozicion ai do të ketë një skuadër ku bën pjesë edhe ish-futbollisti i Goricës, Anton Kresiç, ndërsa analiza e grupit dhe merkatoja për afrimin e përforcimeve të reja sapo kanë nisur.

Stili i tij i punës karakterizohet nga disiplina, loja e organizuar dhe përkushtimi i madh ndaj përgatitjes taktike të ndeshjeve. Gjatë karrierës së tij, ai ka dëshmuar se di të punojë si me futbollistët me përvojë, ashtu edhe me talentet e reja, të cilëve u jep mundësinë për t’u zhvilluar dhe për të bërë hapa përpara në karrierë. Tirana ka pasur ambicie të larta në sezonet e fundit, por edhe luhatje në rezultate, ndaj drejtuesit e klubit kanë vendosur t’ia besojnë skuadrën një trajneri me përvojë ndërkombëtare.

SFIDA – Në klub besojnë se pikërisht Klafuriç mund të sjellë stabilitetin dhe vazhdimësinë që i ka munguar ekipit në vitet e fundit. Për teknikun kroat është një sfidë e rëndësishme, pasi tifozët e Tiranës tradicionalisht presin që skuadra të luftojë për titullin kampion. Presioni për rezultate është gjithmonë i pranishëm, por puna në klube të mëdha është diçka me të cilën Klafuriç është mësuar gjatë karrierës së tij. Emërimi i tij ka tërhequr vëmendje të madhe në opinionin sportiv në Shqipëri, ku ardhja e një trajneri me eksperiencë të pasur europiane konsiderohet një lëvizje e rëndësishme në prag të përgatitjeve për sezonin e ri.

Pritet që në javët e ardhshme Klafuric, së bashku me drejtuesit e klubit, të punojë për ndërtimin e skuadrës, në mënyrë që Tirana të jetë sa më e përgatitur për sfidat që e presin. Merkatoja e verës mund të sjellë edhe ndryshime në përbërjen e ekipit, në përputhje me vizionin e stafit të ri teknik. Ardhja e Dean Klafuriç në stolin e Tiranës përbën pa dyshim një nga emërimet më interesante të trajnerëve në rajon gjatë kësaj vere.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL