Legjenda Hill nuk ka dyshime: E dëgjuan! Ja si e ngriti Hamilton Ferrarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2026 | 13:03

Legjenda Hill nuk ka dyshime: E dëgjuan! Ja si e ngriti Hamilton Ferrarin

Marrëdhënia mes Luis Hamiltonit dhe Ferrarit ka prodhuar tashmë kapitullin e saj të parë të madh të suksesit. Pas një fillimi të vështirë në epokën e makinave me efekt tokësor, të cilin vetë Dejmon Hill e përshkroi si “prekja e fundit” gjatë viteve të fundit të britanikut te Mercedesi, shtatë herë kampioni i botës është rikthyer fuqishëm me triumfin në Barcelonë, fitore që nuk erdhi rastësisht.

hemilton antoneli

Ajo është rezultat i ndikimit të madh teknik dhe politik që Hamilton ka filluar të ushtrojë brenda skuadrës së Maranelos. Sipas kampionit të botës të vitit 1996, Dejmon Hill, britaniku tashmë ka marrë kontrollin e drejtimit sportiv të “Kokëkuqes”.

RILINDJA PAS ZHGËNJIMIT – Hill analizoi periudhën e vështirë që Hamilton ka kaluar që nga finalja kontroverse e sezonit 2021 në Abu Dabi. “Kemi parë gjithë dhimbjen e Abu Dabit dhe gjithashtu faktin që ai nuk kishte një makinë konkurruese te Mercedesi. Vitin e kaluar ai preku fundin,” shpjegoi Hill. “Tani është rikthyer, ka treguar vlerat e tij dhe më në fund ka një makinë konkurruese. Mendoj se ai ka arritur ta bëjë Ferrarin ta dëgjojë. U ka thënë qartë: ‘Më duhet kjo nga makina’”, deklaroi ish-kampioni i botës.

VASËR, ALEATI KRYESOR – Të jesh pilot i Ferrarit nuk është kurrë e lehtë. Presioni i medias italiane dhe i tifozëve mund të jetë i jashtëzakonshëm. Megjithatë, Hamilton ka në krah një aleat të rëndësishëm, ai quhet Frederik Vasër. Drejtuesi francez, i cili e njeh Hamiltonin që nga kategoritë e ulëta të garave, po luan një rol vendimtar në përmbushjen e kërkesave të britanikut.

“Fred Vasër është një aleat jashtëzakonisht i vlefshëm sepse e kupton Luisin. Ai mund t’i thotë Ferrarit: ‘Duhet t’i jepni atë që kërkon’”, tha Hill. Ish-piloti britanik bëri edhe një krahasim me periudhën më të lavdishme të Ferrarit: “Mikael Shumakeri arriti të vendoste drejtimin e skuadrës, por kishte pranë Ros Braunin. Në një farë mënyre, mund të thuhet se Fred Vasër është Ros Braun i Luis Hamiltonit”.

SEKRETI I FRENAVE – Sipas informacioneve të fundit, çelësi i përmirësimit të Hamiltonit lidhet me një element thelbësor të makinës, sistemin e frenimit. Britaniku kërkoi që Ferrari të përdorte disqet dhe ferrotat e kompanisë “Carbon Industrie”, të njëjtat që ai përdori gjatë periudhës së tij të suksesshme te Mercedesi, duke zëvendësuar komponentët tradicionalë “Brembo” të skuadrës italiane. Efekti ishte i menjëhershëm. Problemet e frenimit te Ferrari rezultuan të ishin reale, aq sa Sharl Lëklerk pësoi edhe një aksident të rëndë në Monako.

Pas paraqitjeve bindëse të Hamiltonit, piloti nga Monako vendosi të adoptojë të njëjtën konfigurim që nga gara e Barcelonës. Për Hillin, rëndësia e frenave në Formula 1 nuk mund të nënvlerësohet. “Historia e frenave është shumë e rëndësishme sepse për pilotët ato janë një pjesë thelbësore e punës. Duhet të kesh besim absolut kur frenon në milisekondën e fundit të mundshme. Duket se Hamilton e ka zgjidhur këtë problem dhe kjo ndodhi sepse ai goditi mjaftueshëm fort tavolinën te Ferrari që të dëgjohej”, përfundoi ish-piloti. Sipas Hillit, progresi që Hamilton po realizon te Ferrari është i dukshëm dhe mund të jetë vetëm fillimi i një periudhe të re suksesi për skuadrën legjendare italiane.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL