Çuditë e skemës së re të Superiores, mund të ketë edhe 8 derbi Tirana-Partizani brenda të njëjtit sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2026 | 14:41

Çuditë e skemës së re të Superiores, mund të ketë edhe 8 derbi Tirana-Partizani brenda të njëjtit sezon

FSHF ka vendosur që të ndryshojë formulën e Kategorisë Superiore për sezonet e ardhshme duke hequr dorë nga dështimi epik i “Final Four”. Klubeve u është paraqitur një variant i ri për edicionin 2026-2027, që do të ndihmojë për të çuar në 12 numrin e skuadrave në elitë në edicionet pasardhëse.

tirana-partizani

Por kjo formulë “tranzicioni” e propozuar, do të ketë problemet e saj. Plani i FSHF për tre faza të rregullta dhe pastaj dy të tjera të ndara në minigrupe, bën që automatikisht të ketë 5 ndeshje mes dy skuadrash gjatë sezonit për skuadrat e kreut.

Me shumë mundësi, nga grupi me 6 skuadrat e kreut dalin edhe emrat e ekipeve gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë që zhvillohen me sistem vajtje-ardhje. Dhe kjo do të çonte në 7 numrin e përballjeve në një sezon mes skuadrave të caktuara. Në eventualitetin që njëra prej tyre fiton kampionatin dhe tjera fiton Kupën, atëherë edhe Superkupa do të diskutohej mes tyre duke çuar në 8 përballje direkte mes dy ekipeve në një sezon të vetëm, i cili në vendin tonë zgjat pak më shumë se 8 muaj.

Në teori, numri sa më i lartë i përballjeve cilësore duhet të rritë edhe interesimin për kampionatin. Por a është përsëritja pa fund e të njëjtës ndeshje ajo që çon drejt këtij përfundimi?

Zbehja gjithnjë e më shumë edhe e derbit Tirana-Partizani që tashmë nuk mbush as gjysmën e “Air Albania” për shkak të përsëritjes së vazhdueshme, tregon se FSHF nuk ka kuptuar asgjë rreth mënyrës se si e përjetojnë tifozët futbollin. Ndaj qartësisht ajo rrezikon që t’i largojë edhe më shumë me skema të çuditshme kampionati që eksperimenton në Superiore.

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL