Revolucion në Superiore! Ulet numri i ndeshjeve, formula ndryshon sërish në sezonin 2027/28 (PLANI)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2026 | 18:26

Revolucion në Superiore! Ulet numri i ndeshjeve, formula ndryshon sërish në sezonin 2027/28 (PLANI)

Komiteti Ekzekutiv në FSHF miratoi sot vendimin për revolucionin në futbollin shqiptar. Abissnet Superiore do të ndryshojë në dy sezonet e ardhshme.

Final-FOur-2048x1152

Objektivi është që pas sezonit që po vjen, pikërisht në sezonin 2027/28, të jenë 12 skuadra pjesëmarrëse.

Nga edicioni 2027/28, pas dy fazash të luajtura ose ndryshe 22 javësh, kampionati do të ndahet në dy grupe ku pikët përgjysmohen.

Grupi i parë me gjashtë skuadrat e para të luajë “play off” për titullin kampion. Grupi i dytë me gjashtë skuadrat e tjera të luajë “play out” për të mos rënë nga kategoria.

Në total do të jenë 32 javë dhe pikërisht ky është revolucioni i madh. Bien dy vendet e fundit menjëherë nga kategoria, ndërsa vendi i dhjetë do të luajë fatin e saj në “play out”.

VENDIMI I PLOTË I FSHF

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së zhvilloi këtë të martë mbledhjen e radhës në “Shtëpinë e Futbollit”. Agjenda e mbledhjes përfshinte një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e futbollit shqiptar, duke nisur nga ndryshimet në rregulloret e garave dhe formatet e kampionateve, deri te projektet infrastrukturore.

Një nga vendimet më të rëndësishme të miratuara në mbledhjen e sotme ishte ndryshimi i formatit të kampionatit “Abissnet Superiore”, që do të hyjë në fuqi duke filluar nga sezoni 2026/2027, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së kampionateve, ruajtjen e interesit sportiv gjatë gjithë sezonit dhe përmirësimin e përgatitjes së klubeve shqiptare për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane

Nga sezoni 2026/2027, kampionati nuk do të zhvillohet më me katër faza të rregullta, 36 javë garë dhe fazën “Final 4”. Formati i ri parashikon zhvillimin e tre fazave të rregullta, me gjithsej 27 javë.

Pas përfundimit të tyre, skuadrat do të ndahen në dy grupe, bazuar në renditjen përfundimtare. Pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së fazave play-off dhe play-out.

Gjashtë skuadrat e renditura në vendet e para do të kualifikohen në fazën play-off, ku do të zhvillojnë ndeshje me sistem vajtje-ardhje, me një total prej 10 javësh garë. Skuadra që renditet në vendin e parë në përfundim të kësaj faze do të shpallet kampione e edicionit 2026/2027.

Katër skuadrat e renditura në vendet e fundit (nga vendi i 7-të deri në vendin e 10-të) do të marrin pjesë në fazën play-out, ku do të luajnë gjithashtu me sistem vajtje-ardhje-vajtje, në një total prej 9 javësh garë.

Skuadra e renditur në vendin e fundit në përfundim të fazës play-out do të bjerë automatikisht në Kategorinë e Parë. Dy vendet e para të Kategorisë së Parë në përfundim të këtij sezoni ngjiten automatikisht në “Abissnet Superiore”.

Ekipet e renditura në vendet e 3, 4, 5 dhe 6 të Kategorisë së Parë në fazën play-off do të zhvillojnë ndeshje sipas skemës 3 vs 6 dhe 4 vs 5. Fituesit e këtyre dy çifteve do të përballen në një finale dhe fituesi i kësaj finaleje do të ngjitet në kampionatin “Abissnet Superiore” në sezonin e ardhshëm.

Ndërsa skuadra tjetër finaliste do të zhvillojë një finale me skuadrën e renditur e parafundit në fazën play-out të “Abissnet Superiore”. Fituesja e këtij dueli do të sigurojë pjesëmarrjen në “Abissnet Superiore”.

Ndërkohë, duke filluar nga sezoni 2027/2028, kampionati “Abissnet Superiore” do të zgjerohet nga 10 në 12 skuadra. Sipas formatit të ri, kampionati do të zhvillohet në dy faza të rregullta, me gjithsej 22 javë garë.

Pas përfundimit të tyre, skuadrat do të ndahen në dy grupe sipas renditjes përfundimtare pas 22 javësh. Pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së fazave play-off dhe play-out.

Gjashtë skuadrat e para do të garojnë në fazën play-off, ku do të zhvillojnë ndeshje me sistem vajtje-ardhje, në total 10 javë garë. Skuadra e renditur në vendin e parë do të shpallet kampione e edicionit 2027/2028.

Po ashtu, gjashtë skuadrat e renditura në gjysmën e poshtme të tabelës do të zhvillojnë fazën play-out, me sistem vajtje-ardhje dhe 10 javë garë. Dy skuadrat e renditura në dy vendet e fundit do të bien automatikisht në Kategorinë e Parë për sezonin pasardhës.

Skuadra e renditur e treta e parafundit do të luajë ndeshjen e play-off-it për qëndrimin në kategori ndaj fituesit të fazës play-off të Kategorisë së Parë (luhet mes skuadrave të renditura në vendet 3-4-5-6).

LEXO EDHE

Zyrtare! Superiores do i shtohen skuadrat, konfirmohet formula e re për sezonin 2026/27 dhe jo vetëm

Si do të shtohet numri i skuadrave të Superiores, Komiteti Ekzekutiv sjell risinë e madhe nga Kategoria e Parë

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL