E KRYER/ Elbasani mbyll goditjen në mbrojtje, kapiteni i Xamax vjen te verdheblutë
Elbasani vijon të lëvizë me ritme të shpejta në merkaton e verës. Verdheblutë kanë mbyllur marrëveshjen me mbrojtësin qendror Joan Epitaux siç raporton “Superliga Shqiptare Fan Club”. Futbollisti, i cili ishte kapiten i Neuchâtel Xamax në Zvicër, pritet t’i bashkohet shumë shpejt skuadrës së Ivan Gvozdenoviçit në fazën përgatitore që po zhvillohet në Zlatibor të Serbisë.

Drejtuesit elbasanas kanë punuar prej ditësh për këtë operacion mëson ndërkohë “Panorama Sport” dhe tashmë palët kanë gjetur akordin përfundimtar. Epitaux konsiderohet si një futbollist me eksperiencë dhe personalitet, ndërsa ardhja e tij shihet si një lëvizje shumë e rëndësishme për repartin difensiv, në prag të ndeshjeve të Conference League ndaj BATE Borisov.
KARRIERA
Mbrojtësi qendror vjen pas një sezoni të rregullt në Zvicër, ku ka qenë një nga lojtarët më të aktivizuar të skuadrës së tij. Ai regjistroi 26 ndeshje në kampionat, duke konfirmuar rëndësinë që kishte në organikën e Xamax.
Përveç cilësive mbrojtëse, Epitaux vlerësohet edhe për karakterin e tij si lider në fushë, një element që Elbasani e ka kërkuar në këtë merkato, duke qenë se skuadra do të përballet me sfida të rëndësishme si në Europë ashtu edhe në kampionatin shqiptar.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













