Axhenda e re/ Ndryshon kalendari i elitës, nuk ka zgjatje të pushimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2026 | 22:22

Axhenda e re/ Ndryshon kalendari i elitës, nuk ka zgjatje të pushimeve

FSHF ka ndryshuar sërish datat e nisjes së kampionateve kombëtare për sezonin e ri. Pas planifikimit fillestar që Superiorja të startonte më 5 shtator, është vendosur që elita e futbollit shqiptar të rikthehet më herët në fushë, me ndeshjet e para që do të zhvillohen më 22 gusht. Ndryshimi i kalendarit prek edhe Kategorinë e Parë, e cila fillimisht kishte një afat tjetër për nisjen e sezonit, por tashmë është përcaktuar që gara të fillojë më 4 shtator.

egnatia

Vendimi i ri vjen në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ardhshëm dhe organizimit më të mirë të aktivitetit futbollistik, duke marrë parasysh edhe ngarkesën e klubeve shqiptare që do të përfaqësojnë vendin në kompeticionet europiane, apo edhe pushimet e ndeshjeve të Ligës së Kombeve.

SUPERIORJA- Superiorja do të hapë zyrtarisht sezonin e ri më 22 gusht. Ky është një ndryshim i rëndësishëm krahasuar me planin e parë të FSHF-së, ku ishte parashikuar që kampionati elitar të startonte më 5 shtator. Vendimi për ta afruar datën e nisjes lidhet me nevojën për të krijuar një kalendar më të përshtatshëm gjatë gjithë sezonit dhe për të shmangur një ngjeshje të madhe të ndeshjeve në periudhat e fundit të kampionatit.

Një nisje më e hershme do t’u japë gjithashtu skuadrave më shumë kohë për të zhvilluar ritmin e garës, ndërsa klubet që marrin pjesë në aktivitetet europiane do të kenë një përgatitje më të mirë për përballjet ndërkombëtare. Muajt shtator, tetor dhe nëntor do të kenë disa ndërprerje për shkak të angazhimit të Kombëtares në Ligën e Kombeve dhe nisja e kampionatit në shtator, do të sillte një kalendar shumë të ngjeshur për skuadrat, edhe për vetë faktin se hyn në lojë edhe Kupa e Shqipërisë.

KATEGORIA E PARË- Ndryshimi i kalendarit prek edhe Kategorinë e Parë. Federata ka vendosur që ky kompeticion të nisë më 4 shtator, duke vendosur një distancë nga fillimi i Superiores. Ndryshe nga Superiorja që ka përfunduar më vonë (përfshirë “Final 4”) dhe nisjes më herët, data 4 shtator mund të dëmtojë klubet e Kategorisë së Parë.

Kampionati në këtë ligë ka përfunduar në javën e parë të majit dhe deri në datën 4 shtator, janë thuajse 4 muaj ku skuadrat do të qëndrojnë pa futboll aktiv, teksa prej më shumë se një muaji, të gjitha ekipet janë në pushime verore, madje pa nisur ende edhe merkaton. Në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv, mund të diskutohet sërish për ndryshimin e datës dhe mbetet vetëm të shihet se çfarë do të ndodhë.

PANORAMASPORT.AL