Konfirmohen detajet! Dinamo pa “frena” në merkato, afron edhe futbollistin e Kombëtares U-21

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2026 | 20:23

Konfirmohen detajet! Dinamo pa “frena” në merkato, afron edhe futbollistin e Kombëtares U-21

Dinamo ka zyrtarizuar një tjetër lëvizje të rëndësishme në merkato, duke afruar në skuadër mbrojtësin e talentuar Fabjan Përndrenca, i konsideruar si një nga zbulimet dhe lojtarët më premtues të kampionatit shqiptar në sezonin e fundit.

PERNDRECA

Lojtari i është bashkuar skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja dhe ka dalë në dispozicion të ekipit, duke u aktivizuar edhe në miqësoren ndaj Sileksit, e fituar nga Dinamo me rezultatin 2-1, ku Përndrenca mori minutat e para me fanellën blu.

Bëhet fjalë për një marrëveshje huazimi me qëllim përdorimin e lojtarit gjatë ndeshjeve të kompeticioneve europiane, ku Dinamo luan ndaj Astanës në Ligën e Konferencës. Kjo formulë i jep klubit kryeqytetas mundësinë të përfitojë në një repart ku ka mungesa, pasi Neziri është i dëmtuar.

Megjithatë, pas përfundimit të angazhimeve europiane, “Panorama Sport” mëson se palët do të ulen për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje të re, me synimin që Përndrenca të mbetet pjesë e Dinamos edhe për sezonin e plotë. Duke qenë se Bylisi luan në Kategorinë e Parë, ekziston bindja se një bashkëpunim i gjatë do të ishte i favorshëm për zhvillimin e lojtarit dhe rritjen e vlerës së tij në treg.

Tashmë, mbetet të shihet se si do të paraqitet Përndreca në Kupat e Europës dhe nëse do të arrihet marrëveshje. Marrëdhëniet e dy klubeve janë të mira, pasi në janar u afruan Mustafa dhe Malomo.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL