Revolucioni i Kardinale te Milani, ja drejtuesit e rinj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2026 | 23:45

Revolucioni i Kardinale te Milani, ja drejtuesit e rinj

Milani i ri i Xherri Kardinale po merr formë me një strukturë drejtuese tërësisht të përcaktuar, ku figura të rëndësishme nga RedBird dhe futbolli ndërkombëtar do të kenë rol kyç në projektin e ri kuqezi. Në krye të organizimit qëndrojnë administratori i ri deleguar Masimo Kalveli dhe drejtori i “player trading”, Hendrik Almstadt, ndërsa Zlatan Ibrahimoviç vazhdon të jetë një nga figurat më të rëndësishme pranë pronësisë.

cardinaleibrahimovic

Një nga njerëzit më të besuar të Kardinale është David Kastelblanko, partner në RedBird dhe drejtues i sektorit “Sports & Media”. Amerikani, pjesë e bordit të Milanit që prej janarit 2025, ka një karrierë të gjatë në financë dhe ka punuar për më shumë se dy dekada në “Goldman Sachs”. Postin e administratorit deleguar do ta marrë Masimo Kalvelli, ish-tenist profesionist dhe ishdrejtues i ATP-së. Toskani 51-vjeçar ka përvojë të gjerë në menaxhimin sportiv, pasi ka punuar më parë edhe te “Nike” dhe “Wilson”.

Një rol vendimtar në merkato do të ketë gjermani Hendrik Almstadt, i cili do të drejtojë negociatat për lojtarët. I njohur për përdorimin e analizës së të dhënave në futboll, Almstadt ka eksperiencë tek Arsenal, Aston Vila dhe në “PGA European Tour”. Ndërkohë, britaniku Bobi Gardiner do të jetë drejtori i “Football Intelligence”. Ai do të bashkëpunojë ngushtë me trajnerin Ruben Amorim për identifikimin e profileve më të përshtatshme në merkato përmes analizës së avancuar të të dhënave.

Gardiner është një nga specialistët e rinj që ka fituar vlerësim në botën e futbollit falë analizave taktike dhe punës së tij në fushën e “big data”. Pjesë e organigramës së re është edhe Donato Lomonte, figura me më shumë vite te Milani. I ardhur në klub që në vitin 2017, ai do të drejtojë departamentin e skautingut, duke koordinuar rrjetin e vëzhguesve të klubit në mbarë botën. Me këtë ekip drejtuesish, Kardinale synon t’i japë një drejtim të ri Milanit, duke kombinuar përvojën menaxheriale, analizën moderne të futbollit dhe një strategji të qartë për ndërtimin e skuadrës së së ardhmes.

PANORAMASPORT.AL