Bota e futbollit e çmendur pas “pleshtit”: Askush si Leo Mesi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2026 | 0:56

Bota e futbollit e çmendur pas “pleshtit”: Askush si Leo Mesi

Lionel Mesi vazhdon të thyejë kufijtë e futbollit botëror. Me golin e shënuar ndaj Austrisë në ndeshjen e dytë të Argjentinës në Kupën e Botës, legjenda argjentinase u bë golashënuesi më i mirë në historinë e turneut, duke shtuar një tjetër rekord në karrierën e tij të jashtëzakonshme. Në moshën 38-vjeçare, Mesi po zhvillon një tjetër Botëror spektakolar.

mesi

Pas tripletës në ndeshjen e parë dhe rekordit të vendosur në të dytën, kapiteni i Argjentinës konsiderohet një nga favoritët kryesorë për “Këpucën e Artë”, trofeun që i jepet golashënuesit më të mirë të turneut dhe që ende mungon në koleksionin e tij. Ylli i Inter Majemit ka shënuar tashmë në gjashtë ndeshje radhazi të Kupës së Botës, një arritje që më parë ishte regjistruar vetëm nga Zhys Fonten dhe Zhairzinjo. Tani ai është vetëm një ndeshje larg një rekordi absolut që askush nuk e ka arritur më parë.

Përveç golave, Mesi vazhdon të shkëlqejë edhe si organizator loje. Sipas statistikave, ai ka krijuar më shumë raste për gol se çdo futbollist tjetër në historinë e Botërorëve dhe është vetëm një asist larg rekordit absolut, të cilin aktualisht e ndan me idhullin e tij, Diego Armando Maradona. Shumë menduan se pas eliminimit të Argjentinës nga Franca në Botërorin e vitit 2018, epoka e Messit në skenën më të madhe të futbollit po shkonte drejt fundit.

Por katër vite më vonë ai udhëhoqi Argjentinën drejt titullit botëror në Katar dhe sot vazhdon të dominojë edhe përballë një brezi të ri yjesh si Kilian Mbape, Erling Haland dhe Vinicius Junior. Ish-sulmuesi francez Olivier Zhiru beson se sekreti i jetëgjatësisë së Mesit qëndron te pasioni i pashtershëm për futbollin. “Ai vazhdon të konkurrojë me veten. Kujdesi për trupin, ushqimin dhe motivimi janë thelbësorë në këtë moshë”, shprehet francezi. Edhe psikologët sportivë theksojnë se për të qëndruar në majë për më shumë se dy dekada kërkohet një disiplinë e jashtëzakonshme mendore.

Sipas tyre, kampionë si Mesi vazhdojnë të sfidojnë veten jo sepse kanë diçka për të provuar, por sepse e duan lojën po aq sa ditën e parë. Ish-kapiteni i Anglisë, Uejn Runi, pranon se kishte dyshime nëse Mesi mund të dominonte ende në një Botëror tjetër. Megjithatë, ai beson se cilësitë teknike të argjentinasit e bëjnë unik. “Mosha mund të të marrë shpejtësinë, por nuk mund të të marrë magjinë me topin. Pranë zonës, Mesi vazhdon të bëjë gjëra që askush tjetër nuk mund t’i bëjë”, deklaroi Runi.

PANORAMASPORT.AL