Vllaznia u kthehet stërvitjeve me shumë mungesa, klubi projekton zhvendosjen në Slloveni apo Bullgari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2026 | 12:54

Vllaznia u kthehet stërvitjeve me shumë mungesa, klubi projekton zhvendosjen në Slloveni apo Bullgari

Pas mbylljes së sezonit më 31 maj, futbollistët e Vllaznisë kanë shijuar ditët e para të pushimeve, por jo për shumë gjatë.

vllaznia

Angazhimi nw turin kualifikues të Conference League bën që shkodranët të jenë ndër skuadrat e para të Superiores që u rikthyhen në fushë për të nisur përgatitjet për sezonin e ri. Sipas informacioneve pranë klubit kuqeblu, ekipi i drejtuar nga Edi Martini nisi dje përgatitjet, ku veç Dros, Pusit dhe ndonjë tjetri, nga titullarët mungonin pothuajse të gjithë.

Fillimisht, ritmi i punës nuk do të jetë shumë i ngarkuar, me fokus kryesor rikthimin gradual të lojtarëve në gjendjen optimale fizike pas periudhës së pushimeve. Ndërkohë, drejtuesit e klubit po punojnë paralelisht edhe për kompletimin e grupit, teksa merkatoja verore mbetet një prioritet i rëndësishëm. Ruajtja e bërthamës së ekipit dhe afrimi i elementëve që mund të rrisin konkurrencën janë objektivat kryesore të Vllaznisë në këtë periudhë.

Faza e vërtetë përgatitore pritet të zhvillohet jashtë Shqipërisë. Klubi po shqyrton disa alternativa, me Slloveninë dhe Bullgarinë që konsiderohen aktualisht si dy destinacionet më të mundshme për kampin veror të kuqebluve. Në këto vende skuadra do të ketë mundësinë të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore me kundërshtarë të nivelit të mirë, në funksion të përgatitjes për sfidat europiane.

Për Vllazninë nuk ka shumë kohë për të humbur. Nëntë herë kampionët e vendit do të kërkojnë të paraqiten sa më të përgatitur në arenën ndërkombëtare, aty ku objektivi është kalimi i sa më shumë tureve në Conference League. Pikërisht për këtë arsye, vera e kuqebluve do të nisë më herët se zakonisht, me fokusin e përqendruar plotësisht tek Europa.

PANORAMASPORT.AL