Vllaznia pret brazilianin, ofertë edhe për Sadikin në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2025 | 9:27

Vllaznia pret brazilianin, ofertë edhe për Sadikin në Shkodër

Vllaznia ka gati goditjen e radhës në merkato, pas sulmuesit Mensah dhe mbrojtësit Repaj. Sulmuesi brazilian, Viktor Da Silva, është shumë pranë kthimit në radhët e kuqebluve, duke forcuar kështu repartin e avancuar.

nehar sadiki

Ai ka luajtur më parë në Superiore me fanellat e Vllaznisë dhe të Partizanit, e njeh shumë mirë kampionatin, ndaj dhe do të ishte një afrim i rëndësishëm për shkodranët. Së fundi Da Sila ka luajtur me Nazaf Qarshi në Uzbekistan dhe tashmë është vetëm një hap larg Vllaznisë.

“Panorama Sport” mëson se mes palëve ka pasur bisedime dhe pritet që gjithçka të konkretizohet sot me firmosjen e kontratës. Sulmuesi 30-vjeçar ka luajtur për Vllazninë gjatë sezoneve 2020-2022. Braziliani ka kualitet dhe eksperiencë, ndaj dhe do të ishte një alternativë e mirë për trajnerin Brdariç për të përballuar pjesën e mbetur të sezonit, ku pretendimet janë madhore.

SADIKI – Shkodranët ndërkohë kërkojnë të forcojnë edhe mbrojtjen, ose më saktë qendrën e saj. Klubi kuqeblu interesohet për Nehar Sadikin, i cili në Superiore ka luajtur me Erzenin, ndërsa eksperiencën e fundit e ka pasur në futbollin rus.

Nëse do të ketë një marrëveshje edhe me Sadikin, atëherë me shumë gjasa nga grupi aktual do të ketë ndonjë largim nga mbrojtësit e qendrës. Më i rrezikuar duket se është Juriç, por gjithçka mbetet për t’u parë në vazhdim.

PANORAMASPORT.AL