Vllaznia ka gjetur liderin e ri të prapavijës, Repaj lë shenjë në seancat e para
Një futbollist që ka rënë në sy në këto javë të para të stërvitjes te Vllaznia, ka qenë Serjan Repaj. Mbrojtësi shtatlartë ka treguar një përgatitje fizike të kënaqshme dhe ka qenë ndër ata futbollistë të cilët nuk e kanë lënë pas dore stërvitjen individuale në ditët e pushimit të skuadrës.

Forma e 24- vjeçarit ka kënaqur edhe trajnerin Martini, i cili duket se shikon një pikë të fortë te shkodrani. Kjo pasi vetë tekniku shkodran është nga ata trajnerë që preferon shumë mbrojtësit shtatlartë dhe Repaj i plotëson parametra të tillë fizikë.
Po ashtu, duket se ish-mbrojtësi i Apolonisë përshtatet mirë edhe në skemën me 3 mbrojtës në prapavijë që preferon shpesh Martini. Pavarësisht se në skuadër është afruar Kuros së fundmi, ku pritet edhe Jazxhi, Repaj mund të konsiderohet si një titullar i skuadrës. Mbrojtësi u afrua në merkaton e janarit në radhët e kuqebluve, ku kishte qëndruar më parë për 5 sezone e gjysmë në Fier tek Apolonia.
Me ardhjen e tij tek 9 herë kampionët e vendit, ai u shndërrua në një titullar duke spostuar herë Bajramin e herë Stojanoviç nga formacioni. Tashmë me sezonin e ri që po afron dalëngadalë, Repaj pritet po ashtu të jetë një pikë e fortë në formacionin e shkodranëve.
PANORAMASPORT.AL













