Vllaznia humbet nëntë lojtarë, merkatoja bëhet emergjencë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2026 | 21:48

Vllaznia humbet nëntë lojtarë, merkatoja bëhet emergjencë

Vllaznia po përgatitet për sezonin e ri 2026-2027, por aktualisht një nga sfidat më të mëdha të kuqebluve mbetet plotësimi i boshllëqeve të krijuara nga largimet e shumta. Në krahasim me edicionin e kaluar, skuadra shkodrane ka humbur një numër të konsiderueshëm futbollistësh, duke e bërë të domosdoshme një ndërhyrje të shpejtë dhe efikase në merkato.

vllaznia

Zyrtarisht, te Vllaznia kanë përfunduar huazimet e Bismark, Gjinit dhe Dodajt, me tre lojtarët që janë rikthyer në klubet ku kishin kartonin. Ndërkohë, largimin nga kuqeblutë e kanë konfirmuar edhe Jago, Hakaj, Bajrami dhe Sala, futbollistë që ishin pjesë e organikës së sezonit të fundit dhe që në periudha të ndryshme dhanë kontributin e tyre në skuadër. Megjithatë, lista e largimeve nuk pritet të mbyllet këtu. Edhe Esat Mala, Ardit Krymi duken gjithnjë e më larg rinovimit të kontratave me Vllazninë.

Deri tani nuk ka sinjale konkrete për një marrëveshje mes palëve dhe gjithçka të çon drejt një ndarjeje përfundimtare. Nëse edhe këta dy futbollistë largohen, atëherë numri i lojtarëve që kanë lënë ose pritet të lënë skuadrën shkon në nëntë. Një bilanc i tillë krijon pa diskutim një vakum të madh në përbërjen e ekipit. Bëhet fjalë për lojtarë që mbulonin reparte të ndryshme të fushës dhe që i garantonin trajnerit alternativa të rëndësishme gjatë sezonit.

Për pasojë, drejtuesit sportivë janë të detyruar të punojnë me ritme të larta për të sjellë elementë të rinj që jo vetëm të plotësojnë numrat, por edhe të ruajnë nivelin konkurrues të skuadrës. Deri në këto momente, Vllaznia ka zyrtarizuar vetëm një afrim, atë të Patrik Bardhit. Një lëvizje e vlerësuar pozitivisht, por që padyshim nuk mjafton për të mbushur “gropën” e krijuar nga largimet e shumta. Me kampionatin që afrohet dhe me fazën përgatitore që ka nisur, pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për merkaton kuqeblu, pasi shkodranët kanë nevojë për disa afrime cilësore nëse duan të mbeten pretendentë në sezonin e ri.

TREGU NË RAJON – Tek Vllaznia ka nisur puna intensive për ndërtimin e skuadrës së sezonit 2026-27 dhe merkatoja në hyrje pritet të jetë prioritet absolut për drejtuesit kuqeblu. Pas një vere të karakterizuar nga shumë largime, stafi teknik dhe drejtuesit e klubit janë të detyruar të lëvizin me shpejtësi në treg për të gjetur elementët e duhur që do të plotësojnë boshllëqet e krijuara në grup.

Sipas informacioneve, shkodranët po monitorojnë me vëmendje kampionatet e rajonit, duke pasur në fokus veçanërisht Superligën e Kosovës, elitën e Malit të Zi, kampionatin maqedonas dhe atë boshnjak. Këto tregje konsiderohen të përballueshme financiarisht, por njëkohësisht ofrojnë futbollistë me eksperiencë dhe cilësi që mund të përshtaten shpejt me futbollin shqiptar.

Në zyrat e klubit po analizohet një listë e gjerë emrash, ndërsa kontaktet e para me disa futbollistë dhe përfaqësues të tyre mësohet se kanë nisur prej ditësh. Vllaznia synon të afrojë lojtarë që mund të japin menjëherë kontribut në formacionin titullar, duke shmangur sa më shumë investimet afatgjata tek elementë që kërkojnë kohë për t’u përshtatur. Nevoja për përforcime është bërë edhe më e madhe pas largimeve të shumta që kanë prekur skuadrën gjatë javëve të fundit. Disa futbollistë kanë mbyllur kontratat, të tjerë kanë përfunduar huazimet, ndërsa disa emra të rëndësishëm nuk do të jenë më pjesë e kuqebluve në sezonin e ardhshëm.

Kjo ka krijuar hapësira të konsiderueshme në disa reparte, duke e bërë merkaton hyrëse një domosdoshmëri. Me përgatitjet që tashmë kanë nisur, drejtuesit e Vllaznisë synojnë që një pjesë e mirë e afrimeve të mbyllen sa më shpejt, në mënyrë që trajneri Edi Martini të ketë në dispozicion grupin pothuajse të plotë gjatë fazës kryesore të përgatitjeve. Ditët dhe javët në vijim pritet të sjellin zhvillime konkrete, ndërsa tifozët shkodranë presin me interes emrat që do të veshin fanellën kuqeblu në sezonin e ri.

PANORAMASPORT.AL