“Vllaznia, ekipi më i kompletuar i kampionatit! Trofeu rikthehet në Shkodër”, ish-kapiteni Belisha: Tre ndeshjet e radhës vendosin për titullin
Forma që po kalon Vllaznia, përfundimi i fazës së tretë apo edhe sezoni që tashmë futet në momentin e tij më të nxehtë ishin në fokusin e intervistës së Amarildo Belishës për “Panorama Sport”. Ishkapiteni i shkodranëve për gazetën ka analizuar ekipin e drejtuar nga Martini, duke i vlerësuar në maksimum, pavarësisht humbjes së fundit ndaj Flamurtarit.

Sipas shkodranit nuk ka asnjë ekip në Botë që mund t’i fitojë gjitha ndeshjet dhe e rëndësishme për të është që kuqeblutë të mbajnë kreun. Ish-mesfushori po ashtu beson se pas 25 vitesh titulli mund të rikthehet në Shkodër ndërsa shikon si shumë përcaktuese për vendin e parë 3 ndeshjet e radhës në kampionat për 9 herë kampionët e vendit.
Belisha, një Vllazni kryesuese dhe që po bind apo jo?
Po, dhe nuk është se e them vetëm unë, por besoj se opinioni i përgjithshëm është se Vllaznia është ekipi i momentit. Kanë zhvilluar një 3 mujorsh thuajse perfekt që prej dhjetorit dhe meritojnë kryesimin e kampionatit, ku jo vetëm rezultatet, por edhe loja ka qenë shumë bindëse nga ana e kuqebluve. Prandaj uroj thjesht të mbajnë këtë ritëm e pse jo të mos shtojnë “dozën” akoma më tepër në këtë fazë të fundit të kampionatit. Vllaznia i ka kapacitetet dhe në mendimin tim është skuadra më e kompletuar e këtij edicioni në Superiore.
La një shije të hidhur kjo disfatë e fundit me Flamurtarin sipas teje?
Shiko, çdo humbje patjetër që lë një shije jo të mirë, pasi askush nuk i do disfatat në futboll. Pavarësisht se kjo humbje e fundit nuk ndikoi tek renditja në tabelë për Vllazninë, por ndjekësit përfituan duke ngushtuar diferencat e pikëve. Por, nuk ka asnjë ekip në Botë që nuk pëson humbje gjatë sezonit dhe ato të ndihmojnë të korrigjosh dhe përmirësosh në të ardhmen. E kemi parë shpesh këtë edicion që Vllaznia ka ditur të reagojë ndaj humbjeve dhe diçka të tillë duhet të bëjë edhe kësaj radhe.
Vuan skuadra me ekipet e “vogla”, pasi disfatat në fazën e tretë i ka vetëm ndaj Bylis e Flamurtarit?
Nuk besoj se vuan, por ndoshta disi fati ka qëlluar që Vllaznia të ndalet pikërisht me këto ekipe që luftojnë për mbijetesë. Si Flamurtari së fundmi apo më parë edhe Bylis e Vora, në kontrast me duelet me ekipet e kreut, ku shkodranët kanë qenë dominues. Them se dedikimi dhe përqendrimi ka qenë njësoj tek skuadra, si në ndeshjet direkte apo edhe me ato me kundërshtarët e poshtëm të tabelës, por rezultatet kanë munguar.

Amarildo Belisha kur ishte pjesë e Vllaznisë
Por, tashmë në fazën e katërt, ekipi nuk duhet të “falë” më dhe gabimet duhet të jenë me pikatore. Pavarësisht se edhe këto “ndalesa” ndaj ekipeve të sipërpërmendura nuk i cilësoj edhe aq “gabime”, pasi ato skuadra luftojnë fort në çdo 90-minutësh për objektivin e tyre që është mbijetesa.
Çfarë shikon ndryshe te kjo Vllazni në krahasim me sezonet e shkuara?
Më duken shumë të motivuar, me ego dhe dëshirë për të bërë shumë mirë. Kanë një vetëbesim në forcat e tyre, por të kontrolluar sepse nuk i shoh të kenë kaluar në eufori. Dhe kjo është diçka shumë pozitive, ngaqë skuadra është dëmtuar shpesh nga festa të parakohshme e ndërsa tani çdo hap po merret një e nga një. Kjo tregon shumë maturi dhe pjekuri nga ana e skuadrës, drejtuesve dhe stafit teknik. E një meritë për këtë kanë në veçanti trajneri Martini e drejtori Sinani, që kanë menaxhuar gjithçka shumë mirë deri më tani.
Është ndonjë futbollist sipas teje që po bën diferencën?
Vllaznia ka shumë futbollistë cilësorë dhe nuk do doja të veçoja askënd. Drejt objektivave madhorë shkohet me grup dhe jo me individë, prandaj është skuadra në fillim pastaj lojtari. Këtë e sheh edhe nga futbollistët që vijnë nga stoli në shumë ndeshje, që kanë të njëjtin motivim dhe qasje në skuadër. Kjo tregon se grupi është i shëndoshë dhe ka një harmoni të shkëlqyer, një fakt shumë i rëndësishëm në një skuadër futbolli.
Do kishe ndonjë këshillë apo sugjerim për ta?
Këshillë të veçantë nuk është se mund të kem, por vetëm do thoja të ruajnë përqendrimin. Të mos nënvlerësojnë asnjë situatë apo kundërshtarë. Tashmë çdo ndeshje është si një finale dhe duhet trajtuar e tillë, pastaj në “final 4”, ku bateritë duhet të jenë në 100% dhe shumë të karikuara. Kjo do thotë se përveç dedikimit, duhet edhe menaxhim forcash e dëmtimesh, ku gjithçka pritet të vendoset në 3 ndeshjet që do zhvillohen në muajin maj në Tiranë.
Besoni dhe mendoni se ky është sezoni i duhur për të rikthyer titullin në Shkodër?
Vllaznia ka disa sezone që i afrohet titullit, ka qenë gjithmonë ndër pretendentët për të triumfuar. Madje dy herë është nënkampione e vendit në 5 sezonet e shkuara, pra aty ka qenë, duke rivalizuar. Patjetër këtë sezon i shoh kushtet më të favorshme për triumfin dhe rikthimin e titullit pas 25 vitesh në Shkodër. Kjo pasi siç e thashë, për mua Vllaznia ka ekipin më të mirë në kampionat. Bën diferencën me rivalët e prandaj jam i mbushur me optimizëm dhe besim se ky do jetë edicioni i duhur për triumfin final në fundin e tij.
A është shumë përcaktues takimi i radhës në kampionat kundër Egnatias në transfertë?
Patjetër pasi është ndaj një rivali direkt dhe në fushën e tyre, por do shtoja që jo vetëm dueli me Egnatian, por edhe dy të tjerët që pasojnë kundër Dinamos dhe Partizanit do përcaktojnë shumë për Vllazninë. Këto janë duele ndaj kundërshtarëve direktë e që këtu mund të hidhen “themelet” për fitimin e titullit. Absolutisht do jenë sfida shumë të forta dhe vendimtare për kuqeblutë, por besoj se ekipi ka treguar shpesh këtë sezon që ndaj rivalëve direktë di të fitojë. Ndaj them se Vllaznia do ketë sërish sukses edhe në këto javë që pasojnë në Superiore.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













