Vllaznia, alarmi është te sulmi i shkodranëve. Kuqeblutë ndërhyjnë me urgjencë për të afruar futbollistë
Sulmi është një repart i cili tek Vllaznia në këtë merkato verore ka pasur “firo” të rëndësishme.
Kështu nga skuadra janë larguar dy futbollistë që në sezonet e fundit kanë mbajtur goxha peshë në skuadër. Duke nisur nga Ildi Gruda, i cili nuk rinovoi marrëveshjen me shkodranët duke preferuar kalimin tek Egnatia. Apo edhe Kevin Dodaj, i cili për një shifër prej 400 mijë eurosh u shit në Bullgari tek CSKA e Sofies. Këto largime ende nuk janë zëvendësuar në radhët e 9 herë kampionëve të vendit tonë dhe mungesa e elementëve të tillë u dallua qartë në duelet që kuqeblutë zhvilluan ndaj Vikingurit. E tashmë në prag të edicionit të ri në Superiore, duket si i “vetëm” në sulmin shkodran ka ngelur Bekim Balaj.
Kjo pasi Çarls Bismark do të rikthehet te Skënderbeu pas huazimit që kishte në Shkodër. I cili vlente vetëm për ndeshjet e” Conference League” dhe duket e vështirë një rinegocim i marrëveshjes. Po ashtu Alfred Mensah që është pjesë e skuadrës nuk është se “garanton” në sulm për ekipin e Martinit. Me ganezin i cili shikohet vetëm si një alternativë dhe jo si një titullar i ekipit. Në skuadër janë edhe emra të tjerë të sulmit si: Delaj, Ara apo Kubazi, por të gjithë jo lojtarë tipikë për të udhëhequr vijën e parë sulmuese. Ku në skemën me dy sulmues që aplikon Martini, kërkohen dy futbollistë potentë në ofensivë. Dhe momentalisht tek Vllaznia është vetëm Bekim Balaj që “garanton” në ofensivë. Me kuqeblutë që patjetër duhet të bëjnë ndërhyrjet e duhura në merkato për të përforcuar skuadrën për sezonin e ri.
ASNJË LËNDIM – Një fakt që gëzon shumë para nisjes së kampionatit për Vllazninë pas 17 ditësh është se grupi i kuqebluve tashmë gëzon formë të plotë fizike. Asnjë nga futbollistët e skuadrës shkodrane nuk vuan ndonjë dëmtim apo gjendje gripale, duke qenë kështu të gjithë të gatshëm nën urdhrat e Edi Martinit. Edhe emra si Qato apo Krymi duket se kanë kaluar totalisht problemet me muskujt. Me dy mesfushorët që vuajtën shumë gjatë kësaj periudhe në duelet që kuqeblutë zhvilluan në “Conference League”.
Në mënyrë që ekipi të shmangë mbingarkesat e panevojshme në prag të edicionit të ri, stafi mjekësor me direktivat e Martinit i ka dhënë një prioritet të madh rikuperimit të lojtarëve. Në mënyrë që të shmangen dëmtimet, ku gjatë periudhës së verës për shkak të ngarkesave stërvitore, probabiliteti është shumë i madh për dëmtime. Dhe këtë duan të shmangin tek 9 herë kampionët e vendit. Nisur edhe nga eksperienca aspak pozitive e sezonit të shkuar e Vllaznisë. Ku shkodranët ishin ekipi që pësoi më shumë lëndime futbollistësh se askush tjetër në Superiore. Me mbi 14 futbollistë që qëndruan në infermieri dhe jashtë fushave të lojës në periudha të ndryshme të edicionit 2024-25.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













