Vlerëson maksimalisht Dinamon, trajneri i Jagiellonias: E dimë se me kë kemi të bëjmë, na presin dy sfida të vështira
Mbrëmjen e së enjtes, Jagiellonia Bialystok nis zyrtarisht rrugëtimin për fazën e grupeve të “UEFA Conference League”.
Skuadra polake do të presë në shtëpi Dinamon e Tiranës, në një duel ku trajneri Adrian Siemieniek ka theksuar se gjithçka do të vendoset në dy ndeshje, jo vetëm në sfidën e parë në Bialystok. Në turin e tretë eliminator, Jagiellonia eliminoi danezët e Silkeborgut, ndërsa Dinamo surprizoi Europën duke lënë jashtë kroatët e Hajdukut të Splitit.
“Ne e dimë me kë kemi të bëjmë. Përvoja që kemi fituar si në kampionat, ashtu edhe në Kupat e Europës, na ka mësuar të jemi të qetë dhe të dimë si të përgatitemi për ndeshje të mëdha. Sot nuk ka vend për lodhje, thjesht duhet të japim gjithçka në fushë,” u shpreh trajneri Siemieniek në konferencën për shtyp.
Ai e vlerësoi Dinamon si një skuadër ofensive, me guxim në lojë dhe shumë agresive, duke shtuar se është e gabuar të shihet si një ekip i dobët vetëm pse vjen nga një kampionat më pak i njohur për publikun polak.
“Dinamo tregoi forcën e saj duke eliminuar Hajdukun. Edhe ne e njohim mirë veten, dimë çfarë vlere kemi, por jemi të përgatitur për një dy ndeshje shumë të vështira,” theksoi tekniku i Jagiellonias.
PANORAMASPORT.AL













