VIDEO/ Do të përballen të shtunën në Korçë, Ernest Gjoka nostalgjik për Kukësin para ndeshjes
Ndodh edhe kështu! Trajnerin e Skënderbeut, Ernest Gjoka, e kap nostalgjia për kohën e artë te Kukësi, disa ditë para ndeshjes që këtë dy skuadra do të zhvillojnë ditën e shtunë në orën 16:30, në stadiumin “Skënderbeu”, duel ky i vlefshëm për javën e 23-të të Kategorisë së Parë.

Tekniku i skuadrës korçare, ka publikuar në rrjetin social “Instagram”, një video nga dueli mes Kukësit dhe Sherif Tiraspol, i vlefshëm për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Bëhet fjalë për vitin 2017, kur verilindorët që asokohe drejtoheshin nga Ernest Gjoka, triumfonin me rezultatin 2 me 1 në “Elbasan Arena” falë golave të Izair Eminit dhe Pero Pejiçit, ndërkohë që në minutën e 81-të, Kukësi shpërdoronte edhe një 11 metërsh me Pejiçin.
Ndërkohë ditën e shtunë, Skënderbeu dhe Kukësi vijnë në dy realitete të ndryshme, nga ato të viteve të arta, teksa iu duhet të përballen në Kategorinë e Parë. Korçarët si kryesues, ndërsa verilindorët si skuadra që mbyllin tabelën e renditjes, duke rrezikuar rënien në Kategorinë e Dytë.
ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL













