VËZHGIMI/ Shifrat që nga 1997-ta, Partizani i Veselinoviç “mbret” i barazimeve
Kam vetëm një “humbje”, u shpreh trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç për gazetën pas ndeshjes kundër Tiranës, e mbyllur me shifrat 1-1, kur u pyet se përse Partizani nuk po arrin të shkojë te fitorja prej tri ndeshjesh.

Në fakt trajneri serb ka të drejtë që në krye të Partizanit ka marrë vetëm një humbje, madje edhe ajo ka ardhur në një ndeshje që ai e ndiqte nga tribuna, pasi ishte i pezulluar. Fakti që ka arritur ta bëjë skuadrën shumë të vështirë për tu mposhtur është meritë e tij dhe e lojtarëve. Ky Partizan është një skuadër që i ruan balancat dhe statistikat flasin për mbrojtjen që pëson më pak gola.
BARAZIMET – Por jo gjithnjë të mos mposhtesh mjafton, sidomos për një klub si i Partizanit, që në traditën e tij nuk e ka të krenohet me këtë ecuri. Një emër i tillë kënaqet vetëm kur fiton, mundësisht me lojë bindëse. Në 24 javë të luajtura, Partizani numëron plot 13 barazime, më shumë se gjysmën e ndeshjeve. Në një vëzhgim të bërë nga “Panorama Sport” që nga sezoni 1997-1998 rezulton se Partizani ka regjistruar një rekord unik barazimesh pas 24 javësh të luajtura. Në asnjë sezon tjetër nga 23 në total në Superiore, Partizani nuk ka arritur të barazojë gjysmën ose më shumë ndeshje, çka përbën padyshim një precedent mjaft të veçantë, për të cilin me siguri trajneri Veselinoviç dhe kjo skuadër do të mbahen mend edhe kur të mos jenë më pjesë. Vitin e shkuar pas 24 javësh Partizani kishte grumbulluar 10 barazime. Sa i përket ekipeve të tjera, vetëm Tirana ka bërë më shumë “X”-a, plot 14. Ndryshe nga Partizani, që është në katërshe në pozita komode, ana tjetër e kryeqytetit po vuan dhe po “përpëlitet” të sigurojë një vend në Superioren e vitit të ardhshëm.
HUMBJET – Kur bën shumë barazime, rrjedhimisht dy kolonat e tjera do të jenë në numër të ulët dhe ajo e humbjeve ka ngecur vetëm në numrin dy. Të njëjtën arritje të kuqtë e kanë bërë edhe tri herë të tjera që nga 1997-a. Në këtë sezon “demat” janë skuadra që ka pësuar më pak humbje. Vllaznia dhe Bylisi kanë qenë ekipet e vetme që kanë arritur të dalin si fitues kundër skuadrës së Veselinoviç.
PIKËT – Partizani ka arritur që pas 24 javësh të grumbullojë 40 pikë, duke u renditur në vendin e tretë, pas Egnatias dhe Vllaznisë. Duhet thënë se në tri vitet e fundit ata kanë arritur të grumbullojnë të njëjtin numër pikësh, 40 të tilla. Ecurinë më të dobët në vitet e fundit të kuqtë e kanë në sezonin 2021- 2022, kur renditeshin të pestët pas 24 javësh. Duhet thënë se ky Partizan i sivjetshëm është larg atij të Gegës në 2019-ën apo të Starovës në 2016-ën.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













