Veselinoviç “reformë” te Partizani, priten pesë lëvizje në 11-she

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2025 | 20:48

Veselinoviç “reformë” te Partizani, priten pesë lëvizje në 11-she

Partizani ka kryer dje seancën e radhës stërvitore në kuadër të ndeshjes së radhës kundër Bylisit, e vlefshme për javën e 26-të të Kategorisë Superiore. Sfida është programuar të premten në orën 17:30 në stadiumin “Arena e Demave”.

Veselinoviç

Për këtë ndeshje trajneri Veselinoviç do të ketë në dispozicion edhe tre lojtarë, që kthehen nga pezullimi. Klubi ka vendosur ta shlyejë me gjobë ndeshjen e mbetur për Bytyçin, teksa Janjeva dhe Taipi e kanë konsumuar ndeshjen që kishin si ndëshkim.

Gjithashtu, Preka dhe Shanaj kanë kaluar gjendjen virale dhe janë kthyer normalisht në stërvitje. Të kuqtë do të kenë vetëm dy mungesa për këtë ndeshje. Gudjufi është dënuar nga Komisioni i Disiplinës dhe këtë ndeshje do ta ndjekë nga tribuna, ashtu si Eleke, i cili është në fazën e fundit të rikuperimit nga tërheqja muskulore dhe vijon të mos stërvitet me skuadrën.

FORMACIONI – Të gjithë të tjerët janë të gatshëm, me trajnerin Veselinoviç, që pritet të bëjë disa ndryshime në lidhje me formacionin, krahasuar me sfidën ndaj Egnatias. Në mbrojtje janë plot tre ndryshime. Nga krahët pritet të ulen sërish në stol Osmanllari dhe Buxhelaj, për t’i hapur vendin Janjevës nga e djathta dhe Atanaskoskit nga e majta.

VESELINOVIC

Kjo pritet të jetë ndeshja e parë si titullar për maqedonasit pas këtij rikthimi. Në qendër rikthehet Preka dhe ulet në stol Domgjoni. Mesa duket, gabimi në golin e Lushkjes në ndeshjen e shkuar i ka kushtuar 11-shen prizrenasit. Në mesfushë kthehet Taipi dhe në stol i riu Mando, teksa në sulm Veselinoviç pritet të rikthejë në 11-she Podstrelov në vend të Kekos.

Në stërvitjen e nesërme pritet që trajneri të japë verdiktet finale mbi strategjinë, por edhe lojtarët që do të zbarkojnë në fushën e blertë. Duhet thënë se të kuqtë e kanë me detyrim ta fitojnë këtë sfidë, pas katër ndeshjes pa ia dalë.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL