Tri humbje radhazi, Mezani bën gati lëvizjet te Bylisi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2025 | 22:14

Tri humbje radhazi, Mezani bën gati lëvizjet te Bylisi

Nën drejtimin e trajnerit të ri, Gentian Mezanit, ballshiotët janë fokusuar te sfida me Elbasanin, që luhet të shtunën në stadiumin “Adush Muçaj”, në orën 13:30. Pas 3 humbjeve radhazi, ata synojnë kthesën, ndërkohë që me trajnerin Mezani pritet që Bylisi të ndryshojë.

Mezani

Vlonjati është prezantuar dje para skuadrës dhe ka kërkuar nga lojtarët që të bëjnë maksimumin, siç kanë bërë edhe më parë gjatë sezonit, duke mundur edhe pretendentët për titullin kampion në Superiore.

Mezani ka pohuar se e njeh Bylisin, pasi e ka ndjekur në distancë dhe beson se ky ekip do të reagojë që këtë fundjavë, duke u kthyer te rezultatet pozitive. Kundër Elbasanit formacioni i Bylisit me siguri do të ketë ndryshime, pasi trajneri i ri ka idetë e tij dhe të shtunën do të shihet se çfarë risi do të ketë konkretisht.

Ai ka parë nga afër një pjesë të mirë të lojtarëve që janë aktivizuar me Bylisin U-21. Bëhet fjalë për lojtarë si Mici dhe Ibrahim, që vijnë nga dëmtimet, si dhe për emra të tjerë të ekipit të parë, si Beqaj, Ofori, Koxhi, Baçi, Përndreca, Igor, Dialo, Celaj, Çejku, Papa, Akibu dhe Sulovari. Menjëherë ka nisur grumbullimi, ku drejtuesit e klubit mallakastrioti kanë kërkuar regjim absolut nga çdo lojtar para duelit me Elbasanin.

SITUATA – Tri humbje radhazi në kampionat dhe një tjetër në Kupën e Shqipërisë e kanë rënduar jo pak situatën te Bylisi, që synon të pozicionohet në “mesin e artë” të renditjes. Kalendari në vazhdim është i vështirë, sepse pas Elbasanit është radha e sfidës me Partizanin në kryeqytet. Pastaj në Ballsh vjen Skënderbeu për ndeshjen e fundit të fazës së tretë.

Janë tre duele delikate dhe vendimtare për objektivin sezonal të Bylisit, ndërkohë që në mes është edhe ndeshja e kthimit me Egnatian në Kupë. Shanset për kualifikim janë minimale pas humbjes në ndeshjen e parë, ndaj dhe ballshiotët janë të fokusuar vetëm te kampionati. Ata shpresojnë ta lënë pas këtë periudhë të errët dhe të mos rrezikojnë rënien nga kategoria.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL