Tri afrimet e Egnatias/ Kampionët në formë, ja armët plus ndaj bardhebluve të Tiranës
Për ekipet pretendente, kjo fazë e Kupës që sapo u mbyll, u shërben më shumë për kampionatin dhe u dhënë mundësinë lojtarëve të rinj për të pasur më shumë minuta në këmbët e tyre. Përjashtim nuk bën as skuadra e Egnatias, me Edlir Tetovën që u mundua ta shfrytëzojë në maksimum këtë gjë, edhe për faktin se përballë kishte një skuadër të Kategorisë së Parë, Kastriotin.

Ajo që kishte më shumë rëndësi për teknikun ishte harmonizimi i lojtarëve të afruar në merkato me pjesën tjetër të grupit. Kështu ndodhi, sepse për herë të parë të tre afrimet morën minutat e tyre në lojë dhe u duk se dhanë sinjalet e duhura. Dajsinani mbajti portën të paprekur në debutimin e tij dhe tregoi saktësinë në rastet që ndodhën pranë portës së tij. Fernando luajti për 75 minuta dhe duket se është gati për të marrë besimin e plotë edhe në kampionat.
Nga ana tjetër, Leo Melo zhbllokohet shumë shpejt duke shënuar golin e parë me fanellën e re, edhe luajti vetëm 15-të minuta. Tre lojtarë që duket se janë përshtatur menjëherë me shokët e skuadrës dhe që Tetova pritet t’i ketë një armë plus për ndeshjen me Tiranën këtë fundjavë.
ANTI-TIRANA – Duket se të gjitha kartat janë në rregull për rrogozhinasit përpara ndeshjes me Tiranën ditën e nesërme. Tetova do të ketë vetëm një mungesë për arsye kartonësh, e cila nuk përbën shumë problem, sepse “nul” bëhet fjalë për një titullar. Nigeriani Daniel Votlai ka mbushur numrin e kartonëve dhe do të duhet të bëjë një javë stop.
Pritet që tekniku të mos bëjë shumë ndryshime nga java e fundit, përveç faktit se i rikthehet në fushë Albano Aleksi që mungoi sfidën me Laçin për shkak të kartonëve. Me më të mirët në dispozicion do të kërkohet maksimumi për të mbajtur ritmin e kryesuesve dhe për të mos ndier njëkohësisht rrezikun nga poshtë.
Sa i përket formacionit, “halli” më i madh i trajnerit është kompozimi i mesit të fushës, aty ku luftojnë shumë lojtarë për një vend titullari dhe dikush do të duhet ta nisë nga stoli. Janë shtatë lojtarë që luftojnë për katër vende të “lira”, në një kohë kur të gjithë po kalojnë një moment të mirë dhe janë në formë të mirë fizike. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjidhja që do t’i japë Tetova në mënyrë që skuadra të vijojë me ecurinë e rezultateve pozitive dhe të tentojë marrjen e kreut.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













