Tregimi dramatik i fundit të një kampionati që nuk duhet të përsëritet
Nga BESNIK DIZDARI
Kurrë nuk ma kishte marrë mendja se në Kampionatin e Shqipërisë do të vinte një kohë që skuadra e Rrogozhinës së vogël të fitonte 4-0 me Vllazninë e Shkodrës dhe t’ia rrëmbente kësisoj titullin e kampionit të Shqipërisë. Po ja që kjo kohë erdhi. Dhe kjo kohë është ajo që po më vjen për mbarë ta përcaktoj si “Mbretërimi i Egnatias së Rrogozhinës”. Më qartë: “mbretërimi” i futbollit të qytetit të Rrogozhinës, edhe pse këta kampionë nuk janë nga Rrogozhina. Me sa duket edhe ndër ne, kjo është pasqyrë e globalizmit të futbollit të sotëm europian e botëror.

Kështu pra, Egnatia e Rrogozhinës, e drejtuar prej trajnerit tashmâ të mirënjohur, Edlir Tetova dhe me president Agim Demrozin, për herë të dytë rresht shpallet kampione e Shqipërisë. Duke themeluar apo krijuar rrufeshëm këtë bilanc marramendës për gjithë historinë e futbollit shqiptar:
Dy herë rresht (2024, 2025) kampione e Shqipërisë!
Dy herë rresht (2023, 2024) fituese e Kupës së Shqipërisë!
Një herë (2024) fituese e Superkupës së Shqipërsë!
Them marramendës, ngaqë të gjitha këto mbrenda vetëm 4 vjetëve të fundit, 2022-2025. Ndryshe: 5 trofe kombëtarë mbrenda vetëm 60 muajve! Për një debutues kampionatesh të një shteti, ky mund të jetë një rekord botëror i llojit, kur për herë të fundit në Kampionatin Kombëtar kjo Egnatia kishte qenë në vitin 2005. E, për të qenë më të saktë, ky bilanc na thotë se këta 5 trofe kombëtarë, Egnatia e Rrogozhinës i ka mbërritur duke marrë pjesë vetëm në 6 edicione kombëtare të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë! Kjo kurrë nuk ka ndodhur.
Duhej të shkonim te ndeshjet e katërshes së titullit kampion, për të përjetuar kryeqyteti triumfin flakërues të Egnatias së Rrogozhinës ndaj Vllaznisë së Shkodrës: pse jo, futboll i një stili europian, një koreografi rrjedhshmërie që nuk ishte pa prej vitesh në kampionatin tonë, gola spektakolarë, elegancë e plotë e futbollit. Për fat, përballë kësaj shfaqjeje të rrallë – një Vllazni që veç Vllazni nuk të dukej.
Dhe Egnatia për herë të dytë rresht kampione absolute e Shqipërisë. Tash po më pëlqen të shkoj tek aktorët që intepretuan dramën optimiste të Egnatias së Rrogozhinës së vogël, kampionatin e vitit të kaluar, atij 2024. Ishin këta: Sherri, Dabjani, Duka, Fangaj, Malota, Rama, Ahmetaj, Medeiros, Spahiu, Doukouo, Gjata, Lubas, Dulysse, Hawbott, Ndreca, Xhemajli, Aleksi, Morina, Zejnullai, Drame, Ibrahimoglu, Montenegro, Dwamena.
Ndërkohë, kampionët e Egnatias 2025, të vendosur radhazi simbas ecurisë së roleve portier – mbrojtës –mesfushor – sulmues janë këta: Dajsinani, Duka, Fangaj, Malota, Sot, Aliyev, Aleksi, Medeiros, Dulysse, Madani, Ndreca, Xhemajli, Lushkja, Ujka, Wotlai, Bakayoko, Kasa, Yahaya, Zejnullai, Guindo, Leo Melo.
Dhe prej këtyre dy emërorëve na del se nga titulli 2024 janë vetëm këta 9 djem: Duka, Fangaj, Malota, Medeiros, Dulysse, Ndreca, Xhemajli, Aleksi, Zejnullai.
Kjo do të thotë se mbrenda një viti, Egnatia ka “krijuar” plot 12 kampionë të tjerë: Dajsinani, Sota, Aliyev, Madani, Lushkja, Ujka, Wotlai, Bakayoko, Kasa, Yahaya, Guindo, Leo Melo.
Rrallë, shumë rrallë mund të ndryshohet kësisoj, mbrenda 24 muajve, një kampione e një shteti! Kjo është një temë më vete për strategjitë e sotme të Kampionatit të Shqipërisë, ku nga sezoni në sezon skuadrat janë krejt të tjera. Vetvetiu kjo është paqëndrueshmëri dhe … tregti, doemos. Por Egnatia vërtetoi vetëm qëndrueshmëri. Qëndrueshmëri e fitimit të titullit kampion dy herë rresht…

U RREZIKUA TEUTA – E VETMJA 65 VJET PA RËNË!
Duke iu kthyer shënimeve të mia për javët e fundit të Kampionatit, shoh se pata dyshuar edhe për rrezikun e rënies së Teutës së Durrësit në Kategorinë e Dytë (ajo që rrêjshëm quhet e Parë). Kjo ngaqë mbas javës 30, pra 6 javë pa mbaruar kampionati, Teuta e Durrësit renditej e 10- ta, më saktë, e fundit.
Kjo është skuadra, për ne e famshme, e një prej qyteteve më futbollistikë të Shqipërisë, që është Durrësi, qytet i cili prej vitesh a prej shekujsh madje, administrativisht kishte “kolonizuar” qytezën e Rrogozhinës. Ndërkaq, vëreja se kjo Teutë, edhe pse barazonte 0-0 në Tiranë me Partizanin, ajo zbriste në vendin e 10-të, saktësisht të fundit, pozitë që të çonte pa mëshirë në Kategorinë e Dytë. “Nënvizoja” Teutën pra, e vetmja skuadër shqiptare, e cila prej plot 65 vjetëve, qysh nga viti 1960, ajo nuk ka zbritur nga kategoria. Kanë zbritur të gjithë të tjerët. Me Sportklub Tiranë e Partizan, me Vllazni e Shkodrës e Dinamo, me Flamurtar i Vlorës e Elbasan, me Skënderbe i Korçës e Besë e Kavajës, me Luftëtar i Gjirokastrës e me Tomor i Beratit. Kanë rënë kështu të gjitha skuadrat e qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Madje Vlora e Kavaja, Berati e Gjirokastra, edhe në këtë 2025 ndodheshin gjithnjë jashtë Kampionatit Kombëtar.
Ndërkaq, tregimi ynë na thotë së atë vit 1960, skuadra që do t’i jepte asaj Lokmotive, “colpo di grazia”-n mbrenda në Durrës 2-0, jo 3-1 si në Beratin e ndeshjes së parë, ishte Tomori, sot i harruar në kategori të ulta. Ka qenë një ndeshje si një finale “play out” të sotëm që shpëtoi vetë Tomorin e Beratit, po aq dhe Vllazninë e Shkodrës. Ishin të tria në fund: Tomori i 8-ti me 12 pikë, Vllaznia e 9-ta, po me 12 dhe Lokomotiva – Teuta e sotme – e 10-ta, e fundit, me 10 pikë. Asokohe, çudia ishte se skuadra e Durrësit kishte në përbërje futbollistë mjaft të mirë. Në portë madje, kishte Raqi Piskun – një ndër portierët më të shquar të Shqipërisë. E më tej edhe sulmuesin atlet të shquar, Raq Manushin “veteran”, gjithnjë i freskët, edhe pse merrte pjesë në kampionat qysh nga viti 1946, plot 15 vjet rresht! Dhe jo vetëm këta të dy, por edhe Zalla, Daja, Shyti, Myshku, Çeta, Hasa, Hoxha… Pa harruar trajnerin e shquar Skënder Dedja…
Por vijmë tek e sotmja, teksa mund të themi se nuk ka kampionat në botë, ku 6 javë para mbarimit, gjysma e skuadrave pjesëmarrëse të rrezikonin që të binin. E kujtoni se situata ishte kjo: KF Laçi 33 pikë, Bylis 32, SK Tirana 31, Skënderbeu 30, Teuta po 30. Dhe ngjarjet që rridhnin e rridhnin, pa sjellë asnjë “dhimbje” për kësisoj rëniesh të pamëshirshme të qyteteve kryesore të futbollit…

Nuk mund të quhet dramatik një kampionat për “fatin e bukur” se gjysma e skuadrave të tij, luftojnë për mosrënie. Dhe kur? Kur gara për titullin kampion ra deri aty sa s’ka ku shkon më! Ndërkohë që, skema e papranueshme na siguronte 6 javë para mbarimit se cilat ishin e pakta 3 nga 4 skuadrat kualifikuese për titullin, të atij që po ia merrte frymën sidomos ekraneve të televizioneve që buçisnin: “Final four! Final four!”. Përveç të tjerave, a thua se nuk ka fjalë shqipe.
Ndërkaq, nuk po e merrja me mend se për çka do të luanin në 6 javët e fundit skuadrat e paracaktuara të katërshes. Për tribunat e boshatisura? Për mosaktivizimin e lojtarëve të rinj të klubit? Apo për të falur pikë tash e parë? Nuk shkoj më tej, por po risjell këtu këtë mbititull dhe këtë titull kuptimplotë të faqes së parë të “Panorama Sport”: “Kreu tregohet zemërgjërë dhe shpërndan dhurata për skuadrat e fundit!”
“QOKAT” TRADHTOJNË FORMULËN”!
Mendoni gjithnjë spektatorin shqiptar, i cili sa fort që e don këtë sport. Ndonëse për fat, iu ka braktisë keqas. Edhe në këtë rast shkoni te faqet e asaj gazete të një dite të së hënës. Në pesë ndeshje ishin vetëm 5000 spektatorë, kur dikur, në ndeshjet e Kampionatit të Shqipërisë as për një ndeshje të vetme, nuk ishin kaq pak spektatorë. Madje ishin mesatarisht mbi 6000 shikues për çdo ndeshje të Kampionatit. Jo si sot vetëm 5000 për të gjitha ndeshjet. Shqipëria ishte e para në Europë për frymë të popullsisë për praninë e spektatorëve të ndeshjeve të futbollit. Mbushi faqen e “La Gazzetta dello Sport” me këtë të dhënë të pashlyeshme për historinë tonë.
E pra, sot, nuk e shpëtojnë këtë mungesë spektatorësh që sundoi për një vit të tanë kampionatin, 12.000 shikuesit e vet të finales Egnatia – Vllaznia.
Kampionati ku 5 nga 10 skuadrat rrezikonin të binin!
Kështu ndodhi pra: që tri javë para mbarimit, ky kampionat 2024-2025 të hynte në histori si i vetmi në 95 vjet jetë, ku gjysma e skuadrave të tij rrezikonin të binin një kategori më poshtë. Plot 5 nga 10 që ishin: KF Laçi, Teuta, SK Tirana, Bylis dhe Skënderbeu!
Nuk kishte ndodhur asnjëherë në histori që 270 minuta para mbarimit të kampionatit, gjysma e skuadrave të kampionatit, ose 5 skuadrat e fundit, të ndryshonin me vetëm 3 pikë midis tyre. Dhe më tej: asnjëherë në histori nuk kishte ndodhur që nga këto 5 skuadra, më shumë se gjysma e tyre të mund të binin: Skënderbeu i Korçës, Sportklub Tirana e Tiranës dhe Teuta e Durrësit. Dhe ishin ndër më themelueset dhe më tradicionalet e futbollit shqiptar.
Mirëpo, ja që ndokush këtë po e quante “bukuria e kampionatit”. Unë për vete (dhe jo vetëm unë, të jeni të bindur) e quaja dhe e quaj “kriza historike e vlerave të Kampionatit të Shqipërisë”.
E PRA, ÇFARË MUNDEJ ME NDODH?
Nuk kishte burrë nane, që të parashikonte mirëfilli. Aq më tepër kur java 33 dha një rezultat të bujshëm, që assesi nuk pritej: SK Tirana fitonte 3-0 me Partizanin e katërshes “së famshme” të titullit kampion. Çka mund të thoshte se “mrekulli” të tjera të këtij rangu mund të ndodhnin. E pra, si fitoi 3-0 kundër Partizanit pretendent, Sportklubi Tirana, edhe pse ndodhej në vendin e fundit (ishte i 10-ti)? Ndjenjë e përgjegjësisë se po binte? Turp për situatën e rëndë? Dëshirë e madhe për të përmbysur një katastrofë? Apo ndonjë diçka tjetër? Ec e gjeje edhe këtë!…
Në këte javë 33 ndodhi që, nga katërshja kryesuese, asnjëra nuk fitoi. Humbi Partizani. Humbi kryesuesi Egnatia. Humbi Vllaznia. Barazoi Dinamo. Kjo do të thoshte se nga 12 pikë të mundshme, katërshja fitoi vetëm 1 pikë, ate të Dinamos ndaj Teutës. Mjaftonte edhe kjo situatë për të na bindur edhe një herë për dështimin zhurmëmadh të kësaj skeme të kampionatit.
Megjithatë ndodhi që njëra prej tyre të jetë tronditur fort. Ishte skuadra e Partizanit, e cila ndodhej nën kërcënimin e AF Elbasanit, skuadra befasuese kjo, që ishte po aty.
Dhe kur kujtoje se në javën 24 ky Elbasan ndodhej 12 pikë larg Partizanit, e tash, me 50 pikë po aq sa ai, bindeshe një herë e mirë se “rasti Elbasani” ndoshta ishte buja më e paspjegueshme e këtij kampionati. Prej këtu do të mbërrinim te 180 minutat e fundit, që do të na dhuronin disa ndeshje të tjera që mund të quheshin “finale” më vete.
Do të ishin këto: Bylis – Partizani 1-0, SK Tirana – Teuta 1-1, Laçi – Dinamo 1-0. Këto të javës 35, shto barazimin 1-1 të AF Elbasanit me Vllazninë dhe befasisht skuadra elbasanase e katërta! Pra, në katërshen e titullit kampion.
Por… java 36 kishte e pakta tri “finale” të tjera, që do të jepnin tre rezultate për shumëkënd krejt dyshuese: Dinamo – SK Tirana 0-2 dhe Partizani – AF Elbasani 2-0.

Dhe… “qetësi” e tanë! Jo AF Elbasani, por Partizani në katërshen e titullit! Mandej dorëlëshuara Dinamo që qetë-qetë i dorëzohet Sportklub Tiranës. Dinamo, mëtuese e titullit që i dorëzohet skuadrës që zinte vendin e parafundit: SK Tirana! Merreni me mend sikur të fitonte Dinamo. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë Sportklubi ynë i famshëm, me 36 pikët e tij, do të zinte vendin e fundit dhe drejt e në Kategorinë nr. 2!
Dhe ngjarja e ngjarjeve: Skënderbeu – Bylis 1-2! Fitore e ballshiotëve mbrenda në Korçë, çka do të thoshte rënie e drejtpërdrejtë nga Kategoria e skuadrës korçare.
SI NDODHI KËSHTU VËRTET?
Fitore e SK Tiranës 2-0 me Dinamon pretendente? Humbje e Skënderbeut mbrenda në Korçë me Bylis të Ballshit? E pra ishin rezultate të vërteta. Ashtu siç kishin qenë të vërteta edhe fitorja 3-0 e SK Tiranës me Partizanin po pretendent apo fitorja 4-1 e Skënderbeut ndaj Dinamos po pretendente si dhe fitorja 2-1 e Skënderbeut në Shkodër me Vllazninë. Dhe nuk po shkojmë më tej.
SK Tirana në vendin e 8- të për të shkuar te ndeshja shtesë për shpëtim. Dhe me kë? Me KF Pogradecin, i cili ishte renditur në vendin e 5- të të Kategorisë II (rrêjshëm I). Merreni me mend sikur të fitonte skuadra pogradecare e vendit të 5-të të Kategorisë II e të hynte në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë! Një falsitet, më saktë një falsifikim për t’u marrë me të International Football Association Board (IFAB) i rregullave e ligjeve të organizimeve të futbollit. Të tilla skema mund të prodhojnë 17 ndeshjet artificiale të “play off” dhe “play out” shqiptare të vitit 2025. Po, po, plot 17 ishin! Ky është denatyrimi më i madh që i është bërë ndonjëherë në histori organizimeve të kampionateve të futbollit në Shqipëri.
MJAFT PRA! NUK MUND TË VAZHDOHET MË KESHTU!
Duket një nëntitull i ashpër ky. Them se jo, megjithatë.
Kampionati Kombëtar i Shqipërisë me skemën e tij tejet dëmtuese, në të vërtetë sendërtoi rezultate befasuese deri në paarsye. Dhe përjashtoi Skënderbeun e Korçës. Mezi kishte shpëtuar Sportklub Tiranën. Dhe ec e merre vesht se çka do të bëhet me kampionatin e ardhshëm. Ndonëse ne përsërisim: shtim i skuadrave, deri në 14 a 16, me dy periudha (faza) shkuarje e ardhje siç e kanë 90 përqind e shteteve të Botës e të Europës dhe siç janë zhvilluar mbi 80 përqind e kampionateve të 95 vjetëve të Shqipërisë.
Kështu pra. Kthejuni qysh tash kampionatit të vërtetë historik e tradicional të Shqipërisë! Dhe harrojeni jubileun “tim” të 65-vjetorit të rënies së Teutës së Durrësit, e cila para 4 vjetëve ishte kampionia e bukur e Shqipërisë! Kështu po shënoj edhe këtu si në një thirrje më tepër:

Kurrë më kjo skemë çoroditëse, që çka nuk cenon. Cenon rëndësinë e rezultateve të 3 apo 4 skuadrave, të cilat e sigurojnë para kohe katërshen – në këtë rast Egnatia, Dinamo e Vllaznia. Shkatërron vërtetësinë e një gare, e cila prej 10 skuadrave don të përjashtojë 30 përqind të tyre: ato të vendeve 8, 9 dhe 10. Zhduk pikët e një viti tanë të garës. Që do të thotë se çon në zero mundin e vlerave, të një viti të tanë ndeshjesh, teksa cenon tejet ate që quhet “fair play” – garë e ndershme dhe e vërtetë.
Ky ishte kampionati që shuante, jo kampionati që ruante. Ky ishte kampionati ahistorik, jo kampionati historik. Kishte vetëm meritën e madhe të Egnatias së Rrogozhinës.
PANORAMASPORT.AL













