Tre lojtarë të larguar dhe tre të tjerë jashtë ekipit, Patsatsia nuk duket te Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2025 | 17:25

Tre lojtarë të larguar dhe tre të tjerë jashtë ekipit, Patsatsia nuk duket te Tirana

Te Tirana ka nisur zyrtarisht procesi i spastrimit të skuadrës, me klubin që po bën lëvizjet e para drejt merkatos së janarit.

tirana

Disa lojtarëve u është komunikuar largimi, ndërsa të tjerë janë përjashtuar përkohësisht nga planet e ekipit të parë. Hajrulla Tole, Aldi Gjumsit dhe Ziad Ouled-Haj-M’hand kanë marrë njoftimin se nuk bëjnë më pjesë në projektin sportiv të Tiranës. Të tre lojtarët nuk u paraqitën dje me skuadrën gjatë stërvitjes, gjë që konfirmon edhe më shumë faktin se procesi i largimit të tyre është në fazat përfundimtare.

Ndërkohë, situatë e ngjashme po ndodh edhe me Ian Soler, Abel Abah dhe Alfred Mensah, të cilët u përjashtuan nga seanca taktike e ekipit të parë. Treshja u stërvit fillimisht me grupin gjatë pjesës së parë të seancës, por më pas u veçuan dhe u drejtuan për stërvitje individuale, duke dhënë sinjale të qarta se nuk janë më në planet teknike të trajnerit Ardijan Nuhiju.

Nga ana tjetër, Tsone Patsatsia ka nisur negociatat për ndërprerjen e kontratës me klubin bardheblu. Palët po kërkojnë një zgjidhje të përbashkët, ndërsa afrimi i afatit kalimtar të janarit pritet të sjellë ndryshime të mëdha në organikën e skuadrës. Klubi duket i vendosur të rinovojë totalisht strukturën e ekipit, duke larguar lojtarët që nuk kanë dhënë pritshmëritë e duhura dhe duke i hapur vend afrimeve të reja. Rikonstruksioni pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, me Tiranën që po planifikon një ndërhyrje të thellë në repartet ku ka pasur më shumë probleme përgjatë fazës së parë të sezonit.

PANORAMASPORT.AL