Me dy punë te klubi i fundit, njihuni me trajnerin e ri i Tiranës
Tirana i ka besuar pankinën kroatit Dean Klafuriç. Një trajner me eksperiencë të gjerë ndërkombëtare, i cili vjen në kryeqytetin shqiptar me objektivin për të rikthyer bardheblutë në nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Kroati vjen dhe zë vendin e Orges Shehit që u largua te Prishtina, ndërsa bardheblutë i besojnë stolin kroatit që është shpallur kampion me Legian e Varshavës.

KARRIERA
I lindur më 26 korrik 1972 në Zagreb, Klafuriç zotëron licencën UEFA Pro dhe ka ndërtuar karrierën e tij në disa kampionate të ndryshme europiane, duke drejtuar skuadra në Kroaci, Poloni, Bosnjë-Hercegovinë, Hungari, Serbi dhe Qipro. Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së Klafuriç ishte aventura te Legia Varshava në Poloni.
Nën drejtimin e tij, skuadra polake arriti të fitojë titullin kampion të Polonisë dhe Kupën e Polonisë, duke kompletuar një sezon të suksesshëm. Te Legia ai regjistroi 15 ndeshje me një mesatare të lartë prej 2.27 pikësh për takim, një nga statistikat më të mira të karrierës së tij si trajner. Pas eksperiencës në Poloni, Klafuriæ vazhdoi karrierën në disa klube të rëndësishme të rajonit, duke drejtuar Velezh Mostar, Budapest Honved, TSC Baçka Topola, Slaven Belupo, Ethnikos Achna dhe së fundmi NK Shiroki Brijeg.
Te klubi boshnjak ai mbajti edhe detyrën e drejtorit sportiv, duke fituar eksperiencë jo vetëm në aspektin teknik, por edhe në ndërtimin dhe menaxhimin e skuadrës. Në sezonin 2025/26, me Siroki Brijeg, si drejtor sporti ai zhvilloi 20 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke regjistruar 6 fitore, 8 barazime dhe 6 humbje. Në total, gjatë karrierës së tij, kroati ka punuar në mjedise të ndryshme futbollistike dhe ka fituar reputacion si një trajner i aftë për t’u përshtatur me sfida të reja.
MODELI I LOJËS
Trajneri 53-vjeçar preferon skemën 4-2-3-1, një sistem që bazohet në ekuilibrin mes mbrojtjes dhe sulmit, me rëndësi të veçantë për organizimin e lojës në mesfushë dhe shfrytëzimin e hapësirave në fazën ofensive. Ai njihet si një trajner që kërkon disiplinë taktike, intensitet dhe angazhim maksimal nga futbollistët e tij. Për Tiranën, emërimi i Dean Klafuriæ përfaqëson fillimin e një projekti të ri.
Përvoja e tij ndërkombëtare, trofetë e fituar në Poloni dhe njohja e futbollit të Ballkanit janë elementë që drejtuesit bardheblu shpresojnë t’i shndërrojnë në sukses në sezonet e ardhshme. Synimi i qartë është ndërtimi i një skuadre konkurruese, e aftë të luftojë për titullin kampion dhe të përfaqësojë denjësisht klubin në arenën europiane.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













