Rinovon trajneri, Burreli nisin ndërtimin e skuadrës
Burreli do ta nisë edhe sezonin 2026-2027 nën drejtimin e trajnerit Samuel Nikaj. “Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë klubit matjan se palët kanë arritur marrëveshjen për të vazhduar bashkëpunimin, duke firmosur rinovimin e kontratës edhe për një tjetër sezon. Konfirmimi i Nikajt në krye të pankinës tregon qartë se drejtuesit e Burrelit synojnë t’i japin vazhdimësi projektit të nisur sezonin e kaluar.

Fillimisht pritet të ruhet baza e skuadrës aktuale, ndërsa më pas do të punohet për afrimin e futbollistëve që mund të rrisin cilësinë dhe konkurrencën në grup. Pushimet kanë qenë disi të gjata për matjanët, por me fillimin e muajit korrik skuadra pritet të grumbullohet për të nisur fazën përgatitore.
Nën drejtimin e Samuel Nikajt, Burreli do të punojë për ndërtimin e një ekipi konkurrues, me objektivin për të qenë protagonist në kampionat. Një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe lojtarëve të rinj, të cilët pritet të kenë më shumë hapësira për t’u aktivizuar dhe promovuar. Klubi matjan vazhdon të mbështetet te talentet e veta, duke i konsideruar ato një aset të rëndësishëm për të ardhmen.
Nikaj është i pari që ka zyrtarizuar rinovimin me Burrelin, ndërsa në ditët në vijim pritet që drejtuesit të nisin bisedimet edhe me futbollistët kryesorë të sezonit të kaluar, me synimin për të ruajtur bërthamën e ekipit dhe për të siguruar stabilitet për edicionin e ri.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL













